Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë
Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë

S’ka ekzistuar kurrë asgjë?

Një udhëtim mendimi në fillimin e kohërave, origjinën e gjithësisë & çështjen e projektimit inteligjent…

WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More PDF

A keni menduar ndonjëherë për fillimin? Çfarë është kjo, thoni ju? Me një fjalë–çdo gjë që është shfaqur për herë të parë, ose çfarëdo gjëje që ka qenë këtu, në momentin më të hershëm në kohë. A keni vrarë ndonjëherë mendjen për këtë gjë?

Prit pak, ju po thoni, a nuk është e mundur që në fillim të mos ketë patur asgjë? A nuk është e mundur që miliarda vite më parë, nuk ka patur asgjë? Sigurisht, kjo është një teori që duhet shqyrtuar. Pra, le ta shqyrtojmë–por si fillim përmes analogjisë.

Le të themi që keni një dhomë të madhe të zezë. Është krejtësisht e mbyllur dhe me përmasat e një fushe futbolli. Dhoma është përherë e kyçur, dhe nuk ka asnjë derë apo dritare dhe asnjë vrimë në muret e saj.

Brenda nuk ka … asgjë. Absolutisht asgjë. As grimcën më të vogël. Asnjë pikë ajri. Asnjë fije pluhuri. Aspak dritë. Është me një kyç të vulosur. Më pas, çfarë ndodh?

Mirëpo le të themi se synimi juaj është të nxirrni diçka–çfarëdo gjëje–në dhomë. Por rregullat janë: ju nuk mund të përdorni asgjë që gjendet jashtë dhomës për të realizuar këtë gjë. Kështu që çfarë bëni?

Dhe ju mendoni, po sikur të krijoj një shkëndijë brenda dhomës? Atëherë dhoma do të ketë dritë në të, edhe për pak çaste. Kjo do të ishte diçka. Po, por ju jeni jashtë dhomës. Pra, kjo gjë nuk lejohet.

Por, ju thoni, po sikur të dërgoj diçka me anë të teleportës brenda në dhomë, ashtu si tek Star Trek? Sërish, kjo nuk është e lejueshme, sepse do të përdorje gjëra nga jashtë dhomës. Këtu gjendet sërish dilema: ju duhet të futni diçka në dhomë duke përdorur vetëm çfarë gjendet në dhomë. Dhe, në këtë rast, në dhomë nuk gjendet asgjë.

Mirëpo, ju thoni, ndoshta një grimcë e vogël do të shfaqet brenda dhomës nëse do të lihet kohë e mjaftueshme.

Ka tri probleme më këtë teori. E para, koha në vetvete nuk bën asgjë. Gjërat ndodhin me kalimin e kohës, por nuk është koha që i bën ato të ndodhin. Për shembull, nëse prisni 15 minuta për pjekjen e biskotave, nuk janë 15 minutat që i pjekin ato, është nxehtësia e furrës. Nëse i vendos mbi banak për 15 minuta, ato nuk do të piqen.

Në analogjinë tonë, kemi dhomë krejtësisht të mbyllur me asgjë brenda saj. Duke pritur 15 minuta, kjo nuk do ta ndryshojë situatën, në vetvete ose nga vetvetja. Por ju thoni, po sikur të presim me mijëra vjet? Me këtë kuptojmë segmente prej 15 minutash të ngjeshura së bashku. Nëse ju prisni me mijëra vjet me biskotat mbi banak, a do t’i piqnin ato këto mijëra vite?

Problemi i dytë është: pse do të “shfaqej” ndonjë gjë në një dhomë bosh? Do të duhej një arsye se përse erdhi në ekzistencë. Por brenda dhomës nuk ka gjë. Pra, çfarë do ta pengonte atë që të vazhdonte të mbetej ashtu? Nuk do të kishte asgjë brenda dhomës për të shkaktuar shfaqjen e diçkaje (dhe megjithatë arsyeja duhet të vijë nga brenda dhomës).

Mirë, thoni ju, po një grimcë e vogël e diçkaje? A nuk do të kishte një mundësi më të madhe për t’u materializuar në dhomë se diçka më e madhe, për shembull, një top futbolli?

Kjo nxjerr në pah problemin e tretë: madhësia. Ashtu si koha, madhësia është abstrakte. Është relative. Le të themi se kemi tri topa bejzbolli, me madhësi të ndryshme. Njëri është me diametër 2 metra, njëri 1 metër dhe një tjetër që është normal. Cili ka më shumë mundësi për t’u materializuar në dhomë?

Ai që është normal? Jo! Është e njëjta mundësi për të tri topat e bejzbollit. Madhësia nuk ka rëndësi. Nuk është kjo çështja. Çështja është nëse do të “shfaqej” apo jo ndonjë top bejzbolli i çfarëdo madhësie në dhomën tonë të kyçur dhe të vulosur.

Nëse nuk mendoni se topi më i vogël i bejzbollit thjesht mund të shfaqej në dhomë, pavarësisht sa kohë ka kaluar, atëherë duhet të arrini në përfundimin se është e njëjta gjë edhe për një atom. Madhësia nuk është problem. Mundësia e një grimce të vogël për t’u materializuar pa një shkak nuk është ndryshe nga ajo e një frigoriferi që të materializohet pa shkak!

Tani, le ta zgjerojmë analogjinë tonë, në kuptimin e plotë të fjalës. Le ta marrim dhomën tonë të zezë e të mbyllur dhe t’i heqim muret, dhe ta zgjerojmë dhomën, aq sa të shkojë në infinit në të gjitha drejtimet. Tani, nuk ka asgjë jashtë dhomës, sepse dhoma është e gjitha ç’ka ekziston. Pikë.

Kjo dhomë e zezë në infinit nuk ka dritë, pluhur, asnjë grimcë të ndonjë lloji, as ajër, asnjë element, asnjë molekulë. Është asgjëja absolute. Në fakt, mund ta quajmë Absolutisht Asgjë.

Prandaj, shtrohet pyetja: nëse fillimisht–miliarda vjet më parë–kishte Absolutisht Asgjë, a nuk do të kishte Absolutisht Asgjë edhe tani?

Po. Sepse diçka–pavarësisht sa e vogël–nuk mund të vijë nga Absolutisht Asgjë. Ne ende do të kishim Absolutisht Asgjë.

Çfarë na thotë kjo? Që kurrë nuk ka ekzistuar Absolutisht Asgjëja. Pse? Sepse, po qe se Absolutisht Asgjëja do të kishte ekzistuar , ende do të kishim Absolutisht Asgjë!

Nëse Absolutisht Asgjëja do të kishte ekzistuar, nuk do të kishte asgjë jashtë saj që të shkaktonte ekzistencën e diçkaje.

Edhe një herë, nëse Absolutisht Asgjë do kishte ekzistuar ndonjëherë, ende do të kishte Absolutisht Asgjë.

Sidoqoftë, diçka ekziston. Në fakt, shumë gjëra ekzistojnë. Ju, për shembull, jeni diçka që ekziston, një diçka shumë e rëndësishme. Prandaj, ju jeni prova se Absolutisht Asgjëja nuk ka ekzistuar kurrë.

Tani, nëse Absolutisht Asgjëja nuk ka ekzistuar kurrë, kjo do të thotë se ka patur gjithnjë një kohë kur të paktën ka qenë Diçka në ekzistencë. Çfarë ishte ajo?

A ishte një gjë apo shumë gjëra? A ishte një atom? Një grimcë? Një molekulë? Një top bejzbolli mutant? Një frigorifer? Disa biskota?

Për ta zbuluar, shkoni tek Diçka-ja ka ekzistuar.

 Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë
 Kam një pyetje...
TREGOJUA MIQVE:
WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More