Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë
Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë

Si e Gjeti Perëndinë një Ateiste

Çfarë më çoi nga eksperienca ateiste për tek besimi tek Perëndia…

WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More PDF

nga Marilyn Adamson

Kam zbuluar se mund të shqetësosh shumë njerëz fetarë duke iu bërë pyetjen: “Nga e di ti që Perëndia ekziston?”

Ndoshta ata fillonin të hamendësonin për arsyet përse po ua bëja këtë pyetje. Ose ndoshta thjesht nuk ia kishin idenë se si të përgjigjeshin. Por, pjesa më e madhe e përgjigjeve ishin: “Epo, ti thjesht e di.”

Nuk po mundohesha që të bëja personin e vështirë. Por sigurisht që “thjesht nuk e dija.” Dhe po shpresoja që dikush ta dinte!

Pas shumë muajsh në këtë gjendje, mendova: “Ja këta personat që thonë se besojnë tek Perëndia, por askush nuk e di arsyen pse!” U ndjeva si atëherë kur mora vesh të vërtetën për Babagjyshin e Vitit të Ri. Dukej e qartë se Perëndia ishte krejtësisht i shpikur. Ndoshta disa persona kishin nevojë që të besonin tek Perëndia. Por ishte e qartë se nuk kishte asnjë provë. Asnjë provë objektive. Arrita në përfundimin më të zymtë…Në të vërtetë Perëndia nuk ekzistonte.

E mbajta këtë besim për vite me radhë, duke mos pritur që ai të ndryshonte ndonjëherë. Por më pas u takova me dikë që më bëri të interesohesha për mundësinë se Perëndia ekziston. Ajo ishte dashamirëse, e butë dhe shumë inteligjente. Të bezdiste fakti që një njeri aq inteligjent të besonte tek Perëndia.

Ajo fliste për Perëndinë sikur Ai të ishte miku i saj më i dashur i cili e donte fort. E njihja mirë jetën e saj. Çdo shqetësim që të kishte, ajo ia paraqiste Perëndisë, sikur besimi tek Ai do t’ia zgjidhte problemin ose do të kujdesej për të në ndonjë mënyrë. Më thoshte, me shumë çiltërsi, se ajo thjesht po lutej që Perëndia të vepronte mbi shqetësimet e saj. Çdo javë pashë atë që dukej se ishte përgjigjja për lutjet e saj. Për më shumë se një vit. E pashë jetën e saj përmes një morie rrethanash. Ajo ishte e bindur se Perëndia ekzistonte.

Kështu që, nga njëra anë, unë doja të besoja tek Perëndia, sepse e admiroja jetën e saj si dhe dashurinë që ajo kishte për të tjerët. Por nuk mund të besoja tek diçka që ishte kundër intelektit tim, kundër gjykimit tim më të mirë. Perëndia nuk ekzistonte. Ishte një ide e bukur, por vetëm kaq. Dëshira që diçka të jetë e vërtetë, nuk e bën atë gjë të vërtetë.

Gjatë kësaj kohe po zhvilloja (unë mendoja se ishte kështu) një filozofi të fortë për personalitetin. Më pas e identifikova se ishte tamam ekzistencializëm.

Megjithatë provova diçka me këto filozofi që nuk jam i sigurt se e bëjnë shumë njerëz. Javë pas jave, studioja përqasjen e një filozofi të veçantë për jetën dhe më pas mundohesha ta zbatoja atë….Niçe, Hjum, Dostojevski, Sartër, Platon, etj. Po kërkoja filozofinë e përsosur dhe të zbatueshme për jetën. Në secilin rast zbulova se, ose filozofitë e tyre dukej se kishin diçka të mangët, ose ishin shumë jopraktike që të viheshin vërtet në jetë. Por vazhdova të kërkoj.

Po e sfidoja shoqen time me çdo pyetje që më vinte në mendje për Perëndinë. E gjeja veten duke shkruar pyetje vonë në darkë. Kjo vazhdoi për më shumë se një vit. Një ditë ajo më dha një libër që iu përgjigjej shkurt pyetjeve si: a ka Perëndi; a është Jezusi Zoti; ç’mund të themi për Biblën. Aty paraqiteshin faktet. Nuk kishte komente si për shembull: “duhet të besosh.”

Libri jepte disa prova për Perëndinë që ishin logjike. Normalisht shkenca nuk më tërheq. Megjithatë, pjesët veçanërisht bindëse për mua ishin karakteristikat kimike të ujit dhe pozita e tokës ndaj diellit. Ishte e gjitha e dizenjuar përsosmërisht, e vënë së bashku në një mënyrë shumë të përsosur. Dhe besimi im tek “asgjë pas gjithë kësaj ” dukej më i dobët sesa mundësia për Perëndinë. Kisha më pak arsye për të qenë e sigurt për hiçin dhe më shumë arsye për të arritur në përfundimin se Perëndia mund të ishte aty.

Më pas u ndesha me një situatë që e sfidoi plotësisht filozofinë time të ndërtuar mirë. Ajo mbi të cilën e kisha vendosur besimin tim doli se ishte plotësisht e pamjaftueshme. Më tronditi fakti që nuk po gjeja dot një përqasje në jetë që të ishte plotësisht e sigurt. Megjithatë, situata u zgjidh vetë. Dhe unë vazhdova përpara. Kisha një personalitet shumë të qëndrueshëm. Përgjatë jetës sime nuk isha ndjerë kurrë “nevojtare”. Nuk kisha pasur ndonjë krizë të vazhdueshme. Nuk kisha pasur beteja apo përpjekje të mëdha. Dhe sigurisht që nuk kisha asgjë për të cilën të ndihesha fajtore.

Por koncepti i Perëndisë ishte diçka të cilën nuk e hiqja dot nga mendja…. A ishte aty Ai? A ekzistonte? Ndoshta ka një Zot…..

Një natë po flisja sërish me mikeshën time dhe ajo e dinte se unë e kisha të gjithë informacionin që më nevojitej. E dinte se më kishin shteruar pyetjet. Megjithatë unë sërish po mundohesha të debatoja. Në një çast të qartë e të papritur, shoqja u kthye nga unë dhe më tha: “E di? Unë nuk mund ta marr këtë vendim për ty dhe Perëndia nuk do të të presë përgjithmonë.”

Dhe menjëherë e kuptova se ajo kishte të drejtë. Po sorollatesha përpara një vendimi shumë të rëndësishëm. Kështu që shkova në shtëpi dhe e ndava mendjen se do të merrja një vendim. Ose do t’i kërkoja Zotit që të vinte në jetën time ose do ta mbyllja plotësisht këtë çështje dhe nuk do t’ia lejoja vetes që të shqyrtoja më mundësinë se Perëndia ekzistonte. Isha e lodhur me shqyrtimin e vendimit. Isha e lodhur duke menduar për këtë.

Kështu, për tre ose katër orë, i shqyrtova edhe një herë ato që kisha lexuar ose kisha vëzhguar. I vlerësova të gjitha.

Arrita në përfundimin se provat për Perëndinë ishin kaq të forta saqë kishte më tepër kuptim që të besoja te Zoti sesa të besoja që Ai nuk ekziston. Më pas duhej të veproja sipas këtij vendimi.

E dija se thjesht arritja në përfundimin se Perëndia është aty, ishte shumë gjë e lehtë. Do të ishte njëlloj si të vendosje që … aeroplanët ekzistojnë. Besimi tek një aeroplan nuk ka asnjë kuptim. Megjithatë, në qoftë se duhet të shkosh diku dhe mënyra për ta bërë këtë gjë janë aeroplanët, të duhet që të marrësh një vendim për të vepruar dhe faktikisht të hipësh në aeroplan.

Kisha nevojë që të merrja vendimin dhe të flisja vërtet me Perëndinë. Duhej t’i kërkoja Atij që të vinte në jetën time.

Pas disa orësh duke u menduar, iu drejtova Perëndisë: “Në rregull, fitove ti. Të kërkoj që të vish në jetën time dhe mund të bësh me të çfarë të duash.” (Më dukej e arsyeshme se meqë Perëndia ekzistonte, Perëndia kishte plotësisht të drejtë që ta ndikonte dhe ta drejtonte jetën time, në qoftë se donte ta bënte këtë.)

Shkova të flija dhe të nesërmen pyesja veten nëse Zoti ishte akoma aty. Dhe po jua them me sinqeritet, në njëfarë mënyre sikur “e ndjeja” që ishte. Një gjë e dija me siguri. Menjëherë pata një dëshirë të jashtëzakonshme për të njohur Perëndinë të cilit tashmë i besoja.

Doja të lexoja Biblën. Kur e mbarova, më dukej se Perëndia po më thoshte se kush ishte Ai dhe si e shihte Ai këtë marrëdhënie me Të. Ishte e mahnitshme. Ajo që më befasoi vërtet ishte se sa shpesh fliste Ai për dashurinë e Tij. Nuk e kisha pritur këtë gjë. Në mendjen time, unë thjesht po pranoja ekzistencën e Perëndisë. Nuk prisja asnjë gjë nga Ai. Por Ai zgjodhi që të më komunikonte dashurinë e Tij. Kjo ishte befasi.

Tani, natyra ime bazë, ana ime skeptike vazhdonte që të ishte aty. Muajt e parë ose vitin e parë, pyesja veten: “A jam duke besuar vërtet tek Perëndia? Dhe, pse po e bëj këtë gjë?” Dhe pastaj, metodikisht, i përsërisja pesë arsyet objektive pse besoja që Perëndia ekziston. Kështu, “besimi” im tek Perëndia nuk mbështetej mbi ndjenjat, por mbi faktet, mbi arsyet.

Për mua, kjo i ngjan themelit të një ndërtese. Faktet/arsyet e mbështesin besimin tim. I ngjan asaj që ndodh me njerëzit që po i japin makinës mbi urën Golden Gejt. Ata mund të mendojnë ç’të duan për urën. Por janë materialet/konstruktimi/dizenjimi i vetë urës ato që bëjnë të mundur që këta njerëz të kalojnë të sigurt nga njëra anë në tjetrën. Në të njëjtën mënyrë, realiteti objektiv i Perëndisë: arsyet logjike, historike, shkencore për të pasur besim tek ekzistenca e Tij, janë të rëndësishme për mua. Ka njerëz që nuk duket se kanë nevojë për këtë gjë. Por unë kam shumë inat të ma hedhin dhe nuk kam shumë respekt për hamendësimet pa baza në arsye. Arsyet për ekzistencën e Perëndisë kishin shumë rëndësi për mua.

Përvoja Ateiste: Pjesa e Dytë

Çfarë ka ndryshuar që nga ajo kohë, tani që ka disa vite që jam e krishterë—- pse besoj tani tek Perëndia? Çfarë arsyesh kam unë që vazhdoj të besoj tek Perëndia?

Nuk jam e sigurt se ndonjë prej tyre do të jetë e besueshme për ju. Por do të mundohem që t’i lë mënjanë shqetësimet që kam dhe të jem e çiltër me ju. Më parë pyetjet e mia ishin për ekzistencën e Perëndisë. Pasi fillova të kem një marrëdhënie me Perëndinë, pashë prova të tjera që Perëndia është i vërtetë. Si për shembull…

1. Kur kam pyetje, shqetësime ose do të doja një mendim të mprehtë mbi një çështje të caktuar, Perëndia më flet përmes Biblës. Ajo që më paraqet Ai gjithmonë i përshtatet në mënyrë të përsosur pyetjes sime, përtej asaj që prisja unë se do të ishte përgjigjja. Dhe zakonisht është një përgjigje më e kënaqshme sesa e meritoj unë.

Një ditë, oraret, afatet dhe detyrimet që kisha në punë ishin bërë kapicë dhe po më merrnin frymën. E keni parasysh atë ndjenjën kur jeni kaq të mbytur me punë saqë nuk dini se ç’të bëni më parë?

Kështu që mora një copë letër dhe një stilolaps dhe i kërkova Zotit: “Vetëm më thuaj se çfarë do që të bëj dhe unë do ta bëj.” Isha e përgatitur plotësisht që të merrja 100% përgjegjësitë për zgjedhjet e mia dhe po i kërkoja Perëndisë që Ai të m’i caktonte përparësitë, të më thoshte se si t’i përqasesha secilës dhe unë do ta bëja atë që do më thoshte Ai.

Pastaj hapa Biblën dhe menjëherë lexova fragmentin ku Jezusi po i fliste një njeriu të verbër. Jezusi po e pyeste: “Çfarë do që të bëj për ty?”

E lexova edhe një herë. Jezusi e pyeti: “Çfarë do që të bëj për ty?” Goxha e mahnitur, mora stilolapsin dhe fillova të shkruaj një listë krejt tjetër…për Perëndinë. Kam zbuluar se kjo gjë është karakteristike për Perëndinë. Të na kujtojë se Ai është atje. Se Ai kujdeset.

Zgjodha këtë shembull sepse është i shkurtër. Por mund të thosha qindra shembuj të tjerë ku të isha duke i bërë një pyetje Perëndisë dhe Ai, në mënyrë të përsosur e të plotë të më përgjigjej. Ndoshta kjo është karakteristika e Perëndisë që vlerësoj më tepër: që Ai është i gatshëm t’i përgjigjet pyetjeve të mia. Dhe kjo është shumë personale mes nesh.

Kjo nuk është diçka që unë e kam mësuar nga të krishterët e tjerë. Është thjesht mënyra se si funksionon marrëdhënia ime me Perëndinë. Bëj një pyetje, duke pasur qëndrimin që vërtet t’i jap Atij lirinë që të më thotë çfarë të dojë….të korrigjojë mendimet e mia, të më tregojë një gjë në jetë që nuk është ashtu siç duhet të jetë, që të më tregojë se ku nuk jam duke i besuar Atij. Dhe Ai gjithmonë, hirshëm, më flet.

2. Në mënyrë të ngjashme, kur unë kam nevojë për drejtim përpara se të marr një vendim, Ai ma jep atë. Unë besoj se Perëndia kujdeset për vendimet tona. Besoj se Ai ka plane për jetën tonë, se Ai interesohet se me kë do të martohem, çfarë lloj pune do të kem dhe për disa vendime të tjera më të vogla se këto. Unë nuk besoj se interesohet për markën e pastës së dhëmbëve që do të blej ose për shumë veprime mondane. Por për veprimet që do të ndikojnë jetën time ndryshon puna…mendoj se Ai interesohet për to.

Një herë kisha nevojë që të merrja një vendim për një udhëtim për në Lindjen e Mesme. Kishte rrezik si punë dhe isha e gatshme që të shkoja atje vetëm po të donte Zoti që të shkoja. Për mua ishte e rëndësishme që të dija se çfarë donte Ai.

Dy herë kërkova të di mendimin e Perëndisë për vendin tim të punës. Që të dyja herët drejtimi që më dha Ai ishte aq i qartë saqë kushdo do të kishte arritur në të njëjtin përfundim, me të njëjtat fakte dhe rrethana të pazakonta. Më lejoni t’ju jap një shembull të vogël fare.

Gjatë vitit të fundit të kolegjit, kisha vendosur që të pranoja një punë në një organizatë të krishterë pas diplomimit, punë për të cilën do të më duhej të transferohesha në Kaliforni.

Ishin pushimet e Krishtlindjes dhe unë në atë periudhë po vizitoja prindërit. Një mbrëmje, isha vetëm dhe po mendoja për një listë të gjatë mikeshash. Po vrisja mendjen se me cilën mund të flisja për t’u transferuar bashkë me mua në Kaliforni për të ndenjur në një dhomë. Në mendje më erdhi një vajzë që quhej Kristi, e cila tashmë ishte diplomuar dhe ishte stabilizuar në një punë në Ajoua. Mendova se do të ishte shoqja e përsosur e dhomës, por kishin kaluar shumë muaj që nuk kisha folur me të. Vetëm 30 minuta më vonë, në shtëpinë e prindërve të mi, Kristi më merr në telefon.

Fjalia e saj e parë ishte: “Dëgjova se do të pranosh një punë në një organizatë të krishterë.” U hutova sepse ia kisha treguar vetëm një shoqeje në Ohajo.

Fjalia tjetër e saj ishte: “Në rregull, unë kam tenxhere, tiganë dhe pjata.” I thashë: “ÇFARË?!” Ajo po transferohej në të njëjtin qytet në Kaliforni dhe më kishte marrë në telefon për të më pyetur nëse do të pranoja që të rrija në një dhomë me të.

OK, besoj se e kuptoni se ku dua të dal.

Mund të bëni pyetjen, pse e bën kaq të madhe, saqë të kesh nevojë për ndihmën e Perëndisë për të marrë këtë vendim? E dija se prindërit e mi do të ishin krejtësisht kundër kësaj pune. Mendova se kjo gjë mund të shkatërronte përgjithmonë marrëdhënien time me prindërit. Kështu që nuk ishte një vendim i lehtë. I kërkova Perëndisë që të më udhëhiqte drejt asaj që donte Ai. Dhe Ai kështu bëri. Për ta bërë më të qartë, ishin edhe dhjetë gjëra të tjera të lidhura me këtë punë.

Arsye të tjera pse vazhdoj që të besoj tek Perëndia…

3. Në lidhje me shpjegimet për jetën–pse jemi këtu, cili është qëllimi i saj, çfarë është e rëndësishme në jetë, cilat janë vlerat dhe për çfarë duhet të përpiqemi–Perëndia ka përgjigjet më të mira se kushdo tjetër. Kam studiuar shumë filozofi dhe fe si dhe qëndrime të tjera për jetën. Ajo që lexoj në Bibël, ajo që shoh në perspektivën e Perëndisë, i ngjan plotësimit të të gjitha pjesëve në një mozaik.

Ka akoma shumë gjëra që lexoj në Bibël dhe kur e mbyll Biblën them: “Nuk e kuptoj.” Pra, nuk dua të them se i kuptoj të gjitha gjërat në Bibël. Përkundrazi, po them se jeta ka kuptim vetëm nga perspektiva e asaj që ka zbuluar Perëndia. Është si të lexosh manualin e përdorimit të diçkaje shumë të ndërlikuar, vetëm se ne nuk jemi lënë vetëm që të ndjekim manualin. Shpikësi po na shpjegon se si funksionojnë të gjitha dhe pastaj na ofron që të na udhëheqë personalisht.

4. Intimiteti me Perëndinë është më i thellë sesa intimiteti me cilëndo qenie njerëzore. Dhe e them këtë nga pozita e një gruaje të martuar, me dy fëmijë dhe me tonelata miqsh shumë të ngushtë. Dashuria e Tij është e përsosur. Ai është jashtëzakonisht bujar. Ai më çon tamam ku jam dhe siç ju thashë, më flet. Ai ndërhyn me veprime që më lenë të mahnitur kur i vëzhgoj. Ai nuk është një fe apo një doktrinë. E shoh duke vepruar në jetën time dhe duke i folur zemrës sime.

5. Ai ka bërë më shumë në jetën time sesa do të kisha bërë unë vetëm. Kjo nuk është një shprehje inferioriteti ose mungese vetë-besimi. Po flas në kuptimin e arritjeve që ia kalojnë atyre që unë kisha në mendje. Ai më jep ide, drejtim, zgjidhje, urtësi dhe motive më të mira sesa mund të aspiroja unë e vetme.

Në fakt, ka edhe më shumë, por mendoj se këto që thashë janë të mjaftueshme. Nuk jam e sigurt nëse ndonjëra prej tyre është e besueshme për ju, por kam qenë e sinqertë me gjithë zemër.

Në qoftë se do të donit të shihnit disa nga provat që më çuan nga eksperienca ime ateiste për tek besimi tek Perëndia, ju lutem lexoni këta dy artikuj:
A ekziston Perëndia?
Përtej besimit të verbër

 Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë
 Kam një pyetje...
TREGOJUA MIQVE:
WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More