Agustini i Iponës na mëson se, në thelb, ajo që na formëson, nuk është çfarë ne besojmë, mendojmë, apo bëjmë, por ajo që ne duam.*
“Sepse kur ne pyesim nëse dikush është një njeri i mirë, nuk jemi duke pyetur se çfarë personi beson, apo shpreson, por se çfarë personi do.” Sipas Agustinit, ato që ne i quajmë virtyte njerëzore, nuk janë asgjë me shumë se sa forma të dashurisë. Kurajo do të thotë të duash mirëqënien e fqinjit më shumë se sigurinë tënde.*
Ai nuk e konsideroi mungesën e dashurisë si burimin e problemeve tona. Ai vuri re se dashuritë e zemrës kanë një rregull të tyren, dhe që ne shpesh duam më shumë gjërat më pak të rëndësishme, dhe duam më pak gjerat e rëndësishme. Prandaj, mungesa e lumturisë dhe çrregullimi i jetëve tona shkaktohen nga çrregullimet e dashurive tona.*
Prandaj, Krishtlindja, në të vërtetë është shfaqja e dashurisë themelore. Një dashuri e pamerituar, duke qenë se të gjithë ne, njerëzit, vuajmë sëmundjen e çrregullimeve të dashurisë.
Nëse dikush që na pëlqen nuk i përgjigjet dashurisë tonë për të, në mënyrë të natyrshme, ne shkëpusim lidhjet, ndërpresim marrëdheniet, inatosemi dhe hidhërohemi. Disa madje mund të përpiqen të shkaktojnë dëm deri në pikën ekstreme të marrjes së jetës. Media i quan këto “krime pasioni”.
Pra, dashuritë tona të çrregullta dhe të rrëmujshme mund të shkaktojnë edhe vdekjen. Sepse në rendin tonë të dashurive, vetja jonë është zoti ynë, i cili nuk është kurrë i kënaqur.
Ne, njerëzit, jemi ata që i kemi kthyer shpinën Atij. Ne i kemi bërë iluzionet e dashurive tona tokësore të jenë qendra e jetës tonë. E kemi refuzuar Atë në mënyrë të vazhdueshme dhe kemi shkuar deri aty sa ia kemi veshur atij fajin e të keqes që ndodh në jetën tonë. E kemi bërë atë armikun kryesor të ditëve tona, ndërsa jetojmë jetën nga një zhgënjim në tjetrin.
Nëse ai do të ishte në vendin tonë, si do të duhet t’i përgjigjej kësaj tradhëtie? Si do të mund të shlyhet dhimbja e shkaktuar nga thyerja e zemrës së tij? Si do të mund t’i përgjigjej arrogancës tonë që e konsideron atë të vdekur? A ka një të ardhme për këtë marrëdhënie?
Krishtlindja na jep një përgjigje jashtë kornizave të kësaj bote. Jo në përgjigje filozofike, por përmes një akti të vërtetë dashurie. Nëpërmjet një akti të përmbushjes hyjnore, Jezusi vjen si një nga ne, e njëkohësisht si një nga qielli. Duke marrë frymë si ne, duke dashur si vetë Zoti. Duke vuajtur, duke u tradhëtuar, e duke u rrahur e made dhënë jetën në vendin tonë për të shlyer dëmin e një marrëdhënieje të thyer. Një thyerja e shkaktuar nga ana jonë dhe e riparuar prej Tij.
Shpëtimi që ai na sjell nuk është i ftohtë, apo me llogari. Është një mall i zjarrtë – jo për versionin e vetes tonë të paraqitur në media sociale, atë që ua shfaqim të gjithë atyre që na rrethojnë. Jo versionin e vetes tonë që do të dëshironim të ishin. Është një mall i zjarrtë për veten tonë të vërtetë. Atë që gjendet, pasi hiqen të gjitha shtresat që u paraqesim të tjerëve.*
Jezusi na fton në një marrëdhënie ku nuk duhet të dyshojmë për vlerën tonë. Në një marrëdhënie ku nuk duhet ta fitojmë identitetin tonë, sepse ai na është dhënë.
Në renditjen tonë të dashurive, nëse do ta kemi atë në themel të dashurive tona, do të kemi gjithçka tjetër të ngritur falë tij. Do të kemi jetë të vërtetë. Krishtlindja është një dhuratë hyjnore për njerëz të padenjë, si ne.
Jo për një sezon, as për vetëm këtë jetë, por për përjetësinë. Gëzuar Krishtlindjen e vërtetë!
Romakët 6: 23 “Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhurata e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë.”
► | Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë |
► | Kam një pyetje... |