Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë
Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë

Seksi dhe kërkimi për intimitet

Çfarë duhet që të përjetosh intimitet të vërtetë me dikë? Çfarë është dashuria? Çfarë është intimiteti?

WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More PDF

nga Richard Purnell

Dr. Henry Brandt, në revistën Collegiate Challenge, tha që çiftet që vijnë tek ai shfaqin një sindromë, një model të përsëritur. Ata thonë, “Në fillim seksi ishte shumë i këndshëm. Pastaj sesi fillova të ndihesha në lidhje me veten, dhe pastaj sesi fillova të ndihesha në lidhje me partneren. U zumë dhe më në fund u ndamë. Tani jemi armiq.”

Kjo sindromë është ajo që unë e quaj sindroma e mëngjesit tjetër. Ne zgjohemi dhe kuptojmë se s’kemi intimitet. Marrëdhënia seksuale nuk na kënaq më dhe kjo që kemi nuk është ajo që vërtet donim në fillim. Jemi thjesht dy njerëz egoistë që kërkojnë kënaqjen e vetes. Elementet e dashurisë dhe intimitetit të vërtetë nuk mund të arrihen “menjëherë”, dhe gjendemi në një gjendje të paekuilibruar, duke kërkuar harmoni.

Jeta jonë përbëhet nga pesë pjesë të rëndësishme: fizikja, emocionalja, mendorja, shoqërorja dhe shpirtërorja. Të pesta këto pjesë janë projektuar për të punuar së bashku në harmoni. Duke kërkuar intimitet ne e duam zgjidhjen sot, ose dje. Një nga problemet tona është se i duam gjërat “në çast”. Kur nevoja për intimitet në një marrëdhënie nuk plotësohet ne kërkojmë një zgjidhje të menjëhershme. Ku e kërkojmë? Te fizikja, mendorja, emocionalja, shoqërorja apo shpirtërorja? Te fizikja. Intimiteti arrihet më lehtë në fushën fizike sesa në katër fushat e tjera. Mund të bëhesh fizikisht i afërt me dikë brenda një ore ose më pak. Por shpejt zbulon se seksi mund të jetë vetëm një lehtësim i përkohshëm i një dëshire sipërfaqësore. Nevojat më të thella mbeten ende të paplotësuara.

Çfarë bëjmë kur entuziazmi fillestar bie dhe seksi na pëlqen gjithmonë e më pak? E arsyetojmë duke thënë, “Ne jemi të dashuruar. Vërtet të dashuruar.” Por ende ndihemi fajtorë dhe të pakënaqur. Në qendrat studentore në gjithë Amerikën shoh djem dhe vajza që kalojnë nga një marrëdhënie në tjetrën duke shpresuar, “Kësaj rradhe do të jetë e vërteta. Kësaj rradhe do të gjej një marrëdhënie që do të zgjatë.”

Unë besoj se ajo që ne duam në të vërtetë nuk është seksi. Ajo që ne duam vërtet është intimiteti.

Çfarë është Intimiteti?

Sot, fjala intimitet ka marrë ngjyrime seksuale. Por kuptimi i saj është më i gjerë. Ajo përfshin të gjitha përmasat e jetës sonë – po, aspektin fizik, por edhe atë shoqëror, emocional, mendor dhe shpirtëror. Intimitet në të vërtetë do të thotë ndarje e plotë e jetës me dikë. Dhe a nuk e kemi patur ne ndonjëherë dëshirën për afërsi, njëjtësi, për të ndarë gjithë jetën tonë me dikë?

Marshall Hodge shkroi një libër me titul Your Fear of Love (Frika jote nga dashuria). Në të ai thotë, “Ne kemi mall për çaste dashurie, afërsie dhe butësie, por shpesh në pikën kritike tërhiqemi. Kemi frikë nga afërsia. Kemi frikë nga dashuria.” Më poshtë në të njëjtin libër Hodge thotë, “Sa më afër dikujt të jesh, aq më shumë mundësi ka për lëndim.” Është frika nga lëndimi ajo që shpesh na pengon të gjejmë intimitet të vërtetë.

Po jepja një seri leksionesh në një universitet në Ilinoin jugor. Pas njërit nga takimet një vajzë erdhi dhe më tha, “Duhet të flas me ju për problemet me të dashurin.” U ulëm dhe ajo filloi të më tregonte problemet e saj. Pas disa çastesh ajo bëri këtë deklaratë: “Tani po ndërmarr hapa që të mos lëndohem përsëri.” I thashë, “Me fjalë të tjera, po merr hapa që të mos duash më kurrë.” Duke menduar se e keqkuptova, ajo vazhdoi, “Jo, nuk po them këtë. Thjesht nuk dua të lëndohem më. Nuk dua dhimbje në jetën time. ” I thashë, “Tamam. Ti nuk do dashuri në jetën tënde.” Sepse nuk ekziston diçka e tillë si “dashuri pa dhimbje”. Sa më afër të jesh me dikë, aq më e madhe mundësia për t’u lënduar.

Unë do të thosha se ti (dhe rreth 100% e popullsisë) do të pohonit se jeni lënduar në një marrëdhënie të mëparshme. Pyetja është, çfarë bën me atë lëndim? Për ta maskuar dhimbjen shumë prej nesh u japin të tjerëve atë që quhet “shenjë e dyfishtë.” I themi tjetrit, “Shiko, unë dua që të më afrohesh. Dua të dua dhe të më duan…por, prit një minutë, jam lënduar më parë. Jo, nuk dua të flas për këto tema. Nuk dua t’i dëgjoj këto gjëra.” Ne ndërtojmë mure rreth zemrës sonë për të mos lejuar të hyjë ndonjë nga jashtë të na lëndojë. Por i njëjti mur që s’i lejon njerëzit të hyjnë nuk na lejon as ne të dalim. Rezultati? Vetmia. Dhe intimiteti dhe dashuria e vërtetë bëhen të pamundura.

Çfarë është Dashuria?

Dashuria është më shumë sesa emocione, dhe është më shumë se thjesht një ndjesi e mirë. Por shoqëria jonë e ka marrë atë që Perëndia ka thënë për dashurinë, seksin dhe intimitetin dhe e ka ndryshuar në thjesht emocione dhe ndjenja. Perëndia e përshkruan dashurinë me hollësi në Bibël, sidomos në Letrën e Parë të Korintasve, kapitulli 13. Që ta kapni plotësisht përkufizimin e Perëndisë për dashurinë po i paraqes vargjet nga katër deri në shtatë (1 Korintasve 13:4-7) në këtë mënyrë. Sa shumë do të plotësoheshin nevojat e tua nëse dikush do të të donte ashtu si thotë Perëndia që duhet dashur?

  • Nëse ky person të përgjigjej me durim, mirësi dhe nuk ishte xheloz për ty?
  • Nëse ky person nuk ishte krenar apo kryelartë?
  • Sikur ky person të mos ishte i pasjellshëm, egoist apo që zemërohej lehtë?
  • Sikur ky person të mos i mbante mend gabimet e tua?
  • Sikur ai të mos të të gënjente kurrë por gjithmonë të të thoshte të vërtetën?
  • Po sikur ky person të të mbronte gjithmonë, gjithmonë të të besonte, gjithmonë të shpresonte për të mirën tënde dhe të këmbëngulte për t’i zgjidhur konfliktet me ty?

Ky është përkufizimi i Perëndisë për dashurinë në marrëdhëniet tona. Besoj e vini re se kjo dashuri fokusohet tek tjetri, dhe jo te vetja. Është një dashuri që jep, jo që kërkon. Dhe ky është problemi. Kush mund t’i zbatojë gjithë këto?

Që të përjetojmë këtë lloj dashurie në marrëdhëniet tona duhet së pari të përjetojmë dashurinë e Perëndisë për ne. Nëse nuk e kemi përjetuar këtë dashuri nuk mund t’ia shfaqim atë dikujt tjetër. Perëndia që të njeh, që di gjithçka për ty, të do në mënyrë të përsosur.

Perëndia na thotë përmes profetit Jeremia, “Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me dashamirësi” (Jeremia 31:3). Prandaj dashuria e Perëndisë për ty nuk do të ndryshojë kurrë.

Ne lexojmë në Bibël, “Sepse Perëndia aq e deshi botën saqë dhe Birin e Tij të vetëmlindurin, që kushdo që beson në Të të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme ” (Gjoni 3:16). Kur kthehemi tek Perëndia dhe pranojmë faljen e Tij, fillojmë të përjetojmë dashurinë e Tij.

Perëndia na thotë, “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona Ai është besnik dhe i drejtë të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi ” (1 Gjoni 1:9). Perëndia jo vetëm na i fal mëkatet, por edhe i harron ato edhe na pastron prej tyre.

Perëndia vazhdon të na dojë, pavarësisht çfarë bëjmë ne. Shpesh, marrëdhëniet marrin fund kur diçka ndryshon, si psh një aksident, apo humbja e pasurisë. Por dashuria e Perëndisë nuk bazohet në pamjen tonë fizike apo në atë se kush apo çfarë jemi.

Siç duket, pikpamja e Perëndisë për dashurinë është krejt e ndryshme nga ajo që shoqëria na thotë. E imagjinoni dot një marrëdhënie me këtë lloj dashurie? Perëndia thjesht na thotë se mjafton ta kërkojmë faljen dhe dashurinë e Tij. Ato janë dhuratë për ne. Por nëse ne nuk e pranojmë këtë dhuratë, e veçojmë veten nga përmbushja e vërtetë, intimiteti i vërtetë dhe qëllimi i vërtetë në jetë.

Përgjigjia

Unë besoj se ajo që ne duam në të vërtetë nuk është seksi. Ajo që ne duam vërtet është intimiteti.

Dashuria e Perëndisë siguron përgjigjien. Ne vetëm duhet t’i përgjigjemi Atij me besim dhe përkushtim. Bibla thotë për Jezusin: “Por atyre që e pranuan, Ai u dha të drejtën të bëhen fëmijë të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e Tij ” (Gjoni 1:12). Perëndia dërgoi Birin e Tij, Jezusin, të vdiste në vendin tonë. Por historia nuk mbaron këtu. Pas tri ditësh Jezusi u ngjall nga të vdekurit. Si Perëndi, Ai është i gjallë sot dhe do ta vendosë dashurinë e Tij në zemrën tënde. Kur ta pranosh Atë do të habitesh sa shumë mund të bëjë Ai në jetën dhe marrëdhëniet e tua.

Fjala e Perëndisë na thotë, “Kush beson në Birin (Jezu Krishtin) ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të” (Gjoni 3:36). Perëndia do që ne të kemi jetë, jo vetëm për sot, por në përjetësi. Nëse zgjedhim ta hedhim poshtë, do të kemi zgjedhur të korrim pasojat e mëkatit, që janë vdekja dhe ndarja prej Tij.

Pranimi i Jezu Krishtit në jetën tonë dhe besimi tek Ai e ekuilibron jetën tonë. Besimi tek Perëndia na çliron faljen e Tij. Nuk duhet më të fashihemi dhe as të vazhdojmë në rrugën tonë. Ai është me ne. Ne kemi paqe me Të. Kur besojmë tek Ai, Ai e bën banesën e Tij tek ne dhe ne kemi intimitet me Të. Falja e Tij na pastron edhe nga mëkati më i madh, egoizmi më i madh, problemi më i madh që kemi patur apo kemi.

Intimitet i plotë

Në të gjithë Biblën, qëndrimi i Perëndisë ndaj seksit është shumë i qartë. Perëndia e ka rezervuar seksin për martesën dhe vetëm për martesën. Ai nuk e bën këtë që ne të mos jemi të lumtur, por përkundrazi, sepse do të na mbrojë. Ai do të na krijojë një bazë sigurie, që kur të hyjmë në martesë intimiteti i saj të jetë i sigurt në dashurinë dhe urtësinë e Perëndisë.

Kur ne ia besojmë veten Jezu Krishtit, Ai na jep një dashuri dhe fuqi të re çdo ditë. Këtu gjen përmbushje intimiteti që ne kërkojmë. Perëndia na jep një dashuri që nuk dorëzohet, nuk mbaron me kalimin e viteve dhe ndryshimin e kohërave. Dashuria e Tij i sjell dy njerëz së bashku, duke qenë Ai qendra e këtij bashkimi. Gjatë një njohjeje, ndërsa të dy rriteni së bashku, jo vetëm shpirtërisht, por edhe nga ana shoqërore, mendore dhe emocionale, krijohet mundësia për një marrëdhënie intime, të sinqertë e të dashur, përmbushëse dhe lumturuese! Dhe kur ajo kulminon në martesë, bashkimi seksual vetëm sa i shton themelit që është hedhur.

Ti mund ta pranosh Krishtin që tani me besim përmes lutjes. Lutja është bisedë me Perëndinë. Perëndia e njeh zemrën tënde dhe nuk shikon aq shumë fjalët sesa qëndrimin e zemrës. Më poshtë jepet një lutje e sugjeruar: “Zot Jezus, kam nevojë për Ty. Falemnderit që vdiqe në kryq për mëkatet e mia. Unë e hap derën e zemrës sime dhe të pranoj si Zotin dhe Shpëtimtarin tim. Falemnderit që m’i fale mëkatet dhe më dhe jetë të përjetshme. Më ndihmo të bëhem ashtu si Ti do.”

A e shpreh kjo lutje dëshirën e zemrës tënde? Nëse po, lutu që tani. Besimi ndaj Krishtit do të shënojë fillimin e një marrëdhënieje me Të që do të bëhet më e ngrohtë sa më shumë që e njeh. Dhe kur Ai të jetë qendra e jetës tënde, ajo do të marrë një përmasë të re – atë shpirtërore – që do të sjellë më shumë harmoni dhe plotësi në gjithë marrëdhëniet e tua.

 Sapo e ftova Jezusin në jetën time (këtu do të gjeni informacion të dobishëm)...
 Mbase dëshiroj ta ftoj Jezusin në jetën time, ju lutem ma shpjegoni këtë më qartë...
 Kam një pyetje...

© Richard Purnell. Richard Purnell u ka folur studentëve në mbi 450 universitete dhe qendra studentore. Ai është autor i 12 librave, duke përfshirë Becoming a Friend and Lover (Të bëhesh shok dhe i dashur) dhe Free to Love Again: Coming to Terms with Sexual Regret (I lirë për të dashur përsëri: Kur ndihesh keq për të kaluarën seksuale).

TREGOJUA MIQVE:
WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More