Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë
Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë

Jezusi dhe Islamizmi

Më poshtë janë gjashtë pyetje të cilat ndjekësit e Islamizmit dhe të tjerë, shpesh i bëjnë në lidhje me Jezusin…

WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More PDF

Kjo do të jetë një paraqitje shumë e respektueshme për këdo që dëshiron të dijë për Jezusin. Nuk ka asnjë sfidë. Dhe nuk do të ketë asnjë kritikë për asnjë fe, në asnjë lloj mënyre.

Këto janë gjashtë pyetjet që marrin përgjigje në këtë artikull:

  1. A është ndryshuar Bibla nga origjinali i saj?
  2. A thotë Perëndia se njëra fe do të zëvendësojë tjetrën: Judaizmi, pastaj Krishtërimi e më pas Islamizmi?
  3. A nuk është blasfemi të thuash se Perëndia ka një Bir?
  4. A vdiq Jezusi në kryq?
  5. Në qoftë se Jezusi vdiq në kryq, a mos vdiq Perëndia për 3 ditë?
  6. Pse të mos e shohim Jezusin si një profet?

1. Jezusi dhe Islamizmi: A është Bibla Fjala e Perëndisë? Apo është ndryshuar a korruptuar me kalimin e kohës?

Thjesht si paraqitje, këto janë disa thënie që gjenden në Bibël: “Deri sa qielli dhe toka të kalojnë asnjë jotë a asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojnë, para se të plotësohet gjithçka.”1

Fjala e Perëndisë nuk do të zhduket. Gjithçka që është shkruar në të do të përmbushet plotësisht deri në përfundimin e plotë të tyre. Sërish thuhet: “Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.”2

Gjithashtu: “I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi.”3 I gjithë shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia.

Dhe: “Bari thahet, lulja fishket, por fjala e Perëndisë tonë mbetet përjetë.”4

Duhet t’i bëjmë një pyetje vetes: “A është në gjendje Perëndia që ta mbrojë fjalën e Tij? A është në gjendje Perëndia që t’i përmbushë këto thënie, se fjala e Tij nuk do të zhduket kurrë, se ajo kurrë nuk do të mbetet e papërmbushur?”

A është i aftë Perëndia? Po, patjetër. Kjo është fjala e Perëndisë për të gjithë njerëzit. Mos po e akuzojmë ne vetë Zotin duke thënë se Ai nuk ishte në gjendje që ta mbronte atë nga ndryshimet që mund t’i bëheshin?

Asgjë nuk ka ndryshuar. Fjalët se gjoja Bibla paska ndryshuar janë vetëm thashetheme.

Kurani nuk thotë se Bibla ka ndryshuar. Përkundrazi. Ai e nderon Torën dhe Biblën. Në të përmenden shumë herë Tora (Tevrati) dhe “Zaburi” (Dhjata e Vjetër dhe Psalmet) si dhe “Inxhili” (Dhjata e Re).

Kur filloi Islamizmi në shekullin e gjashtë, 600 vjet pas Jezus Krishtit, Bibla pranohej si e vërtetë.

Kështu që ju mund të bëni pyetjen: a ka ndryshuar Bibla që nga shekulli i gjashtë? Jo. Për ta vërtetuar këtë mjafton që të krahasosh Biblën e sotme me një Bibël që është shkruar shumë kohë më parë.

Ne mund të gjejmë Bibla të plota, të cilat janë shkruar që në vitet 300 pas lindjes së Krishtit, me qindra vjet para Kuranit. Mund të gjejmë një të tillë në Muzeun e Londrës, në Vatikan dhe në shumë vende të tjera. Në qoftë se e krahasoni Biblën e sotme me Biblat e viteve 300 pas Krishtit, Bibla që ne kemi sot është njëlloj si atëherë.

A e dinit se sot ekzistojnë rreth 25,000 kopje të shkruara me dorë të pjesëve të ndryshme të Dhjatës së Re? Duke i krahasuar këto dorëshkrime, historianët kanë arritur në përfundimin se Dhjata e Re që kemi ne sot është të paktën 99.5% e saktë ndaj origjinalit. Asnjë ndryshim.

(Ndryshimet prej 0.5% kanë të bëjnë me germëzimin, por nuk kanë asnjë ndryshim në kuptim.)

Gjithashtu, mund të keni mësuar për zbulimet më të fundit të Pergamenave të Detit të Vdekur. Ato u gjendën në disa shpella në zonën e Kumranit, në skajin veriperëndimor të Detit të Vdekur.

Studiuesit e kanë krahasuar Biblën që ne kemi sot me atë që u zbulua atje dhe ato mbeten jashtëzakonisht shumë të ngjashme, pothuajse 100% identike.

Mos lejoni që ndokush t’ju thotë se Dhjata e Re ose Bibla është ndryshuar nga shkrimi i saj origjinal. E thënë thjesht, kjo gjë nuk është e saktë nga ana historike.

Bibla nuk ka ndryshuar.

Në rregull, por çfarë mund të themi për faktin që kemi katër Ungjij? A nuk janë ato Shkrime të ndryshme, të ndryshme nga njëri-tjetri?

Po, në Dhjatën e Re janë katër ungjij: Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni. Në fakt, ato na ndihmojnë që të shohim se Bibla nuk është falsifikuar asnjëherë. Ata janë katër dëshmitarë, katër tregime për jetën e Jezusit, ato që Ai tha dhe ato që Ai bëri.

Përfytyroni sikur një ose dy ose le të themi katër persona, do të ishin dëshmitarë të një aksidenti me makinë në cepin e një rruge. Dhe secilit prej tyre t’i kërkohej që të shkruante atë që pa, dëshminë e tyre rreth aksidentit në mënyrë që të lexohej në një gjyq. Mendoni se secili do të jepte të njëjtin përshkrim, ekzaktësisht të njëjtën dëshmi, fjalë për fjalë? Pa dyshim që jo. Secili do të shkruante nga pikëpamja e tij ose e saj atë që ai ose ajo pa. Dhe kjo gjë ndodhi kur secili prej atyre dëshmitarëve shkroi dëshminë e tij për Jezusin, si dëshmitar okular i Jezusit.

Për shekuj me radhë, sistemet juridike kanë marrë dëshmitarë. Dhe, për çështje shumë të rëndësishme, nuk mund të vendoset në rast se është fjala e një personi kundrejt fjalës së një tjetri. Shpesh, duhet më tepër se një dëshmitar. Ja ku është një thënie në Dhjatën e Re ku citohet Dhjata e Vjetër: “Çdo gjë do të qëndrojë me gojën e dy a tre dëshmitarëve.”5

Për Jezusin nuk janë vetëm katër dëshmitarë të cilët shkruan ungjijtë, por ka edhe shumë të tjerë. Jakobi, Pali, Juda, Pjetri, dhe të tjerë që shkruan pjesën tjetër të librave në Dhjatën e Re.

Gjoni ka thënë: “[Ne ju shkruajmë për] atë që pamë me sytë tanë, atë që vështruam dhe që duart tona e prekën.”6 Ata janë dëshmitarë okularë për Jezusin. Kështu që ata shkruajnë për atë që panë.

Ç’mund të themi për të gjitha gjuhët në të cilat u shkrua Bibla, për të gjitha përkthimet?

Bibla u shkrua në gjuhën hebraike dhe në atë greke. Çdo Bibël, pavarësisht se në ç’vit mund të jetë shtypur, është gjithmonë një përkthim nga gjuhët origjinale, nga hebraishtja dhe greqishtja. (Për shembull, Biblat nuk janë përkthyer kurrë nga anglishtja në anglisht. Ato fillojnë gjithmonë me tekstin origjinal.)

Ka disa Bibla që janë të parafrazuara, të cilat nuk janë përkthime. Dhe ato identifikohen si parafrazime. Megjithatë, përkthimet janë tamam kjo gjë: përkthime nga ajo që thuhet në tekstet origjinale hebraike dhe greke.

Shkrimet hebraike dhe ato greke të Biblës janë përkthyer në mijëra gjuhë. Pse? Sepse Perëndia do që çdo person në botë të dijë lajmin e mirë të shpëtimit.

Dhe Bibla nuk është e vështirë për t’u përkthyer. Ka disa pjesë të Biblës që janë poetike (Fjalët e Urta, Kënga e Salomonit, Psalmet). Por thelbi i vetë Biblës është një gjuhë shumë e thjeshtë që trajton jetët tona të përditshme. Nuk është e vështirë për t’u përkthyer. Fakti që Bibla është një tregim i drejtpërdrejtë dhe i thjeshtë është një arsye tjetër për t’i besuar Biblës.

Më poshtë është një histori e vërtetë.

“Im bir më mori në telefon një ditë. Ishte në një vend të huaj, në mes të një autostrade të madhe dhe sapo kishte pësuar një aksident me makinë. Makina e tij ishte goditur nga një makinë tjetër dhe ishte rrotulluar 180 gradë, duke përfunduar në mes të autostradës, por në drejtimin e gabuar.

Më tha: ‘Babi, jam mirë. Por çfarë të bëj tani?’

Ai ishte në hall. Kishte nevojë për ndihmë. Si thoni ju, ishte koha që unë t’i dërgoja një mesazh poetik? Apo një vjershë që unë e dija përmendësh? Jo.

Kjo ishte koha kur thjesht duhej thënë: ‘Xhon, duhet të bësh këtë gjë. Je në një gjendje të vështirë dhe duhet të veprosh kështu që të dalësh prej saj’. Dhe ky është vërtet thelbi i Biblës. Njerëzimi është në hall; ai po shkon në ferr. Ngaqë të gjithë kanë mëkatuar dhe janë të privuar nga lavdia e Perëndisë. Dhe ne kemi nevojë për një mesazh të thjeshtë shpëtimi. Bibla na thotë se si mund të marrim faljen, si mund të hyjmë në një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë e cila fillon tani dhe zgjat përjetësisht. Është një mesazh që i ndryshon jetët tona.

2. Jezusi dhe Islamizmi: A thotë Perëndia se një fe do të zëvendësojë një tjetër?

A mos kishte ndërmend Perëndia që ne të fillonim Judaizmin, pastaj të ndryshonim e të kalonim te Krishtërimi e më pas të ndryshonim për tek Islamizmi?

Jo. Perëndia ka qenë konsekuent. Ai nuk ka qenë kurrë i interesuar që të ndërtojë një fe.

Duke filluar me Abrahamin, Perëndia ka qenë i qartë për të na treguar se kush është, në mënyrë që ne të hyjmë në një marrëdhënie me Të. Qëllimi final i Perëndisë kur na krijoi ishte që Ai të kishte një marrëdhënie me ne, jo një fe.

Le të shohim fillimin, me Adamin dhe Evën. Ata kishin komunikim direkt me Perëndinë dhe të gjitha nevojat e tyre ishin të plotësuara.

Më pas Satani iu shfaq Adamit dhe Evës si një gjarpër dhe i tundoi ata. Mjerisht, ata zgjodhën që t’i besonin Satanit dhe nuk iu bindën asaj që iu kishte thënë Perëndia. Si pasojë, Adami dhe Eva u ndanë nga marrëdhënia që kishin me Perëndinë.

Por e dini se çfarë i tha menjëherë Perëndia Satanit? Perëndia tha se fëmija i një gruaje do të ishte armiku i Satanit. Perëndia tha se Satani do të kishte një fitore të pjesshme, duke plagosur thembrën e fëmijës. Por fëmija do të jepte goditjen përfundimtare, duke i shkelur kokën Satanit.

Ja ku është:

“Atëherë Zoti Perëndi i tha gjarprit: “Meqenëse bëre këtë gjë, qofsh i mallkuar ndër gjithë kafshët dhe tërë bishat e fushave! Ti do të ecësh mbi barkun tënd dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate. Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj.”7

Satani do të ketë një fitore jetëshkurtër, duke goditur thembrën e pasardhësit (farës ) të gruas.

Përgjatë gjithë historisë, kush është i vetmi njeri që ka lindur nga një grua dhe jo nga një burrë dhe një grua? Jezusi, Biri i Marisë, kështu?

Satani do të godiste thembrën e pasardhësit të gruas. Por pasardhësi i gruas do t’ia shtypte kokën Satanit. Dhe e vetmja mënyrë për të vrarë një gjarpër është duke i goditur kokën.

Ç’do të thotë kjo? Ka vetëm një shpjegim për këtë gjë.

Satani i dha një goditje Jezusit në kryq, kur këmbët dhe duart e Jezusit u gozhduan mbi të. Por Jezusi i dha goditjen shkatërrimtare Satanit. Në kryq, Jezusi e mposhti Satanin. Jezusi pagoi për mëkatet e të gjithë njerëzimit, duke i ofruar secilit falje dhe një rrugë për t’u kthyer sërish në marrëdhënie me Perëndinë.

Profeti Isaia shkroi për këtë pasardhës:

“Nuk kishte figurë as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim. I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja, ishte përçmuar, dhe ne nuk e çmuam aspak.

Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur.

Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.

Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve.”8

Cili është profeti për të cilin po flet Isaia? Është shumë e qartë. Ai po flet për Jezusin. Dhe kur u shkrua kjo? Më shumë se 600 vjet para Jezus Krishtit.

Që nga fillimi, përgjatë mijëra vitesh, Perëndia gjithmonë ka thënë se Jezusi do të vinte dhe do të vdiste, ashtu siç e lexojmë tek libri i Isaias. Çfarë do të mendonit për Perëndinë, në qoftë se në çastin e fundit fare, Ai të ndryshonte mendim? Po sikur, pas mijëra vjetësh duke na premtuar Jezusin, Perëndia do të ndryshonte mendim dhe të mos e jepte Jezusin që të vdiste për ne? Perëndia nuk ndryshon mendim.

3. Jezusi dhe Islamizmi: A nuk është blasfemi që të sugjerosh që Perëndia mund të ketë një Bir?

Perëndia është frymë. Dhe Jezusi është Biri i vetëm i Perëndisë në një kuptim frymëror, jo në një mënyrë fizike.

Në qoftë se dikush thotë: “Ti je Biri i Kedrave ” do të thotë se ai person është nga Libani. Ose, po të ishte nga Egjipti: “Ti je Biri i Nilit.” Të thuash se Jezusi është Biri i Perëndisë, do të thotë se Jezusi vjen nga Perëndia. Është si një titull. Kur engjëlli iu shfaq Marisë, engjëlli tha: “I shenjti që do të lindë do të quhet Biri i Perëndisë.” Një titull. Të krishterët nuk besojnë se Perëndia kishte ndonjë marrëdhënie seksuale me ndonjë grua.

Isaia ka thënë: “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes.”9

Ai është Zoti, që u bë njeri, me anë të Marisë. Ai është Perëndia dhe Biri në të njëjtën kohë, i lindur nga e virgjëra Mari.

Pse mendoni se Perëndia e lejoi Jezusin që të lindte nga e virgjëra Mari?

Lindja nga një grua dhe jo nga një burrë e një grua, do të thotë që Ai nuk mori natyrën mëkatare të Adamit dhe Evës. Kur Adami dhe Eva ranë në mëkat, ata e kaluan natyrën mëkatare brez pas brezi, me anë të fëmijëve të tyre, deri tek ne.

Ne të gjithë kemi lindur si mëkatarë. Jemi të lindur me një prirje për t’i bërë gjërat sipas mënyrës sonë, në vend që t’i bëjmë ato sipas mënyrës së Perëndisë. Ne të gjithë mëkatojmë. Kjo është arsyeja pse profeti David thirri: “Nëna ime më ka lindur në mëkat.” Ne të gjithë jemi të lindur me mëkat. Ne jetojmë si njerëz mëkatarë dhe të gjithë kemi nevojë për një shpengues.

Por që Jezusi të na shpengojë, ai duhet të ketë një natyrë tjetër. Ai duhej të ishte nga Fryma e Perëndisë. Fryma e Shenjtë, pa asnjë mëkat. Isaia tha: “Në të nuk u gjet asnjë mashtrim.” Ai nuk kishte asnjë mashtrim.

Në Shkrim, Perëndia mori formën e një ferrishteje që digjej nga zjarri kur iu paraqit Moisiut. Ai mori formën e një zëri nga qielli kur i foli Abrahamit. Kush mund të thotë se Perëndia nuk lejohet të marrë formën e një njeriu me qëllim që të na zbulohet neve?

4. Jezusi dhe Islamizmi: A vdiq Jezusi në kryq apo jo?

Si e vuri në provë Perëndia Abrahamin? Ai i kërkoi Abrahamit që të vendoste birin e tij në altar. Ndërsa ata po i ngjiteshin malit, djali pyeti: “Ku është oferta?” Abrahami iu përgjigj: “Do ta sigurojë Perëndia. Perëndia do të na japë ofertën.” Dhe Perëndia e siguroi një qengj, të cilin më pas Abrahami ia sakrifikoi Perëndisë.

Shikoni mesazhin konsekuent që na jep Perëndia.

Perëndia shpëton; Ai e shpëtoi birin e Abrahamit nga vdekja duke dhënë një qengj.

Më pas, tek Eksodi, ne shohim sërish rëndësinë e qengjit. Tek Eksodi, Perëndia e paralajmëron popullin e tij në Egjipt se ai do t’i godasë egjiptianët. Në qoftë se ata që i besojnë Perëndisë do të lyejnë me gjakun e qengjit kornizat e dyerve të tyre, Perëndia do të bënte që engjëlli i vdekjes të mos i prekte, duke i shpëtuar kështu nga vdekja. Një komb besimtarësh shpëtoi nëpërmjet një qengji.

Më pas shohim një qengj sërish tek libri i Levitikut. Çdo vit priftit i thuhej që të merrte një qengj, ta nxirrte nga qyteti dhe ta sakrifikonte atë për mëkatet e popullit që besonte tek Perëndia.

Më vonë, dëgjojmë Gjon Pagëzorin që i drejtohet turmës, duke thënë këto fjalë për Jezusin: “Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!”10 Një qengj, që do ta shpëtojë të gjithë botën, për të gjithë ata që besojnë tek Ai.

Çfarë do të ndodhte në qoftë se Abrahami nuk do të kishte dëgjuar zërin e Perëndisë ose të mos kishte dëgjuar se Perëndia po i fliste atij? Po, djali i tij do të ishte vrarë!

Po sikur njerëzit të mos i besonin Perëndisë dhe të mos i lyenin me gjak kornizat e dyerve?

Kështu tani del një pyetje. Rreth 2,000 vjet më parë, Jezusi, Qengji i Perëndisë, u var në një kryq dhe e dha jetën për ty. Neve na thuhet qartë: “Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.”11

Po sikur ti të thoje që: “Jo, ata nuk e kryqëzuan. Ai nuk u vra.” Ky Qengj i Perëndisë u sakrifikua që të paguante për mëkatet tuaja dhe mëkatet e të gjithë botës. Po sikur ti të thoshe që Ai nuk u vra, se Qengji i Perëndisë nuk vdiq për mëkatin tënd, për faljen tënde?

5. Jezusi dhe Islamizmi: Në qoftë se Jezusi vdiq në kryq dhe qëndroi në varr për tri ditë, mos do të thotë kjo se Perëndia ishte i vdekur për tri ditë?

Pyetje shumë e mirë. Për t’iu përgjigjur do të na ndihmojë një ilustrim.

Le të themi se kemi një vazo. Në të nuk ka as lule e as ujë. Është thjesht e mbushur me ajër. Cili është ndryshimi mes ajrit jashtë vazos dhe ajrit brenda saj? Ajri brenda vazos ka marrë formë apo jo? Është i njëjti ajër në përbërje, por ajri brenda vazos ka formë.

Në qoftë se ne e marrim atë vazo dhe e përplasim pas murit, çfarë ndodh me ajrin brenda saj? Mos vdes ai? Jo, ajri nuk mund të vdesë. Vazoja mund të ndahet në njëqind copë, por asgjë nuk i ndodh ajrit, përveçse humbet formën.

Kur Jezusi vdiq në kryq, vdiq trupi i tij, por Fryma e Jezusit, Fryma e Perëndisë nuk vdes kurrë. Perëndia mori formën e një njeriu, tek Jezusi. Ai mori formën e një njeriu, por Jezusi nuk ishte kurrë vetëm njeri.

Në kryq, Jezusi pagoi për mëkatin tonë dhe hoqi pengesën që qëndronte mes nesh dhe Tij. Për shkak të vdekjes së Tij, ne mund të jemi në paqe me Perëndinë. Megjithëse ne ishim fajtorë, drejtësia e Perëndisë u plotësua tërësisht nga Jezusi, Qengji i Perëndisë që vuajti për ne. Dhe dashuria e Perëndisë u shpreh plotësisht në faktin që Jezusi me vullnet të lirë e dha jetën e Tij për ne.

Ju mund të thoni: “Nuk është e drejtë.” Dhe kjo është e vërtetë. Ne nuk e meritojmë që Jezusi të vdesë për ne. Por kjo ishte zgjidhja që dha Perëndia për ne. A mos i themi ne Perëndisë se si duhet të jetë kjo gjë?

Jezusi pagoi dënimin tonë për vdekjen, në mënyrë që ne të mos vdesim për mëkatet tona. Ai do që ne të hyjmë në një marrëdhënie me Të, të njohim dashurinë e Tij dhe të kemi jetë të përjetshme.

Një histori tjetër. Një histori e vërtetë që mund t’ju ndihmojë të kuptoni atë që bëri Jezusi për ne.

Ishte një gjykatës i çiltër e me zemër të pastër i cili nuk pranonte ryshfete. Ishte i drejtë. I ndershëm. Një zonjë u kap dhe ia sollën përpara në sallën e gjyqit. Dënimi që ajo mund të duhej të paguante ishte një dënim i përjetshëm ose një shumë e madhe parash që ajo nuk e kishte.

Gjykatësi e pyeti: “Je fajtore apo jo? ”

Dhe ajo thirri: “Shkëlqesi, unë nuk mund të paguaj për dënimin. Unë nuk i kam aq para. Ju lutem, kini mëshirë për mua.”

Gjykatësi tha: “Unë po të pyes: ‘A je fajtore apo jo? E pranon?'”

Më në fund, gruaja e re tha: “Po shkëlqesi, jam fajtore.”

Ai tha: “Atëherë duhet të paguash çmimin. Dënim i përjetshëm ose shumën e parave.” Dhe e mbylli çështjen.

Ajo filloi të qante e të vajtonte dhe rojet që ishin aty e nxorën nga salla e gjyqit dhe e çuan në burg. Gjykatësi e hoqi rrobën dhe doli nga salla. Pastaj shkoi te zyra e thesarit. Dhe aty ai dha të gjitha paratë që kishte dhe pagoi çmimin për ta çliruar atë vajzë. Pse? Sepse e donte jashtëzakonisht shumë atë vajzë. Ishte e bija. Dhe ai e çliroi vetë të bijën, me gjithçka që kishte.

Kur gjykatësi e hoqi rrobën e tij, ai u bë si çdo person tjetër. Dhe pikërisht këtë gjë bëri edhe Jezusi. Ai zbriti nga qielli, e hoqi rrobën e lavdisë dhe u bë si çdo njeri tjetër. Dhe Ai vdiq për ne, kështu që mëkatet tona nuk do të na dënojnë më dhe nuk do të na mbajnë përjetësisht të ndarë nga Perëndia.

Të gjithë profetët thanë se Jezusi do të vinte dhe do të vdiste për mëkatet e botës. Jezusi është e vetmja shpresë që njerëzimi të ketë jetë të përjetshme.

Duke iu kthyer rrëfimit të fillimit me Adamin dhe Evën, Perëndia i tha Satanit se një person i lindur nga një grua do t’ia shtypte kokën Satanit dhe se njerëzimi do të shpengohej. Vdekja dhe ringjallja e Jezusit e mposhti fuqinë e Satanit. Jezusi e mposhti mëkatin, vdekjen dhe ndarjen tonë nga Perëndia…duke i dhënë një goditje shkatërrimtare Satanit.

6. Jezusi dhe Islamizmi: Pse të mos e shohim Jezusin si një profet?

Ka vetëm një Perëndi. Ja cilat janë gjërat që ne dimë se janë të vërteta për Perëndinë:

Perëndia është i përjetshëm — ka ekzistuar gjithmonë, jeton tani dhe do të jetojë përgjithmonë.

Perëndia është i shenjtë – pa gabime, i përsosur.

Perëndia është e vërteta – fjala e Tij qëndron gjithmonë, e pandryshueshme, besnikërisht e saktë.

Perëndia është i pranishëm – kudo, kurdoherë.

Perëndia është i fuqishëm – nuk ka asnjë kufi për fuqinë e Tij.

Perëndia është i gjithëdijshëm – Ai ka njohuri të plota për gjithçka, gjithmonë.

Perëndia është krijues – asgjë nuk ekziston që të mos jetë krijuar prej Tij.

Ka vetëm një Perëndi. Dhe të gjitha gjërat e mësipërme janë të vërteta për Të. Ne e dimë këtë gjë sepse Shkrimi na e zbulon se kjo është e vërtetë për Perëndinë. Ai ka vendosur që t’i zbulohet njerëzimit, që të na e tregojë këtë gjë për Vetveten.

Shkrimi gjithashtu tregon se Jezusi zotëronte ekzaktësisht po këto karakteristika si Perëndia. Ashtu siç i zotëron edhe Fryma e Perëndisë. Për shembull, le të marrim faktin se Ai është i përjetshëm.

Shkrimi thotë për Jezusin: ” Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.”12

Gjithashtu: ” Ai është shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i çdo krijese, sepse në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken: frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij dhe në lidhje me të.”13

Por, në qoftë se ka vetëm një Perëndi, si mundet që edhe Jezusi është Perëndia?

Në tokë, ne jetojmë në një botë tre-dimensionale. Secili person ka gjatësinë, gjerësinë dhe thellësinë e tij. Dy persona mund të duken paksa të ngjashëm me njëri-tjetrin. Ata mund të kenë interesa të ngjashëm, punë të ngjashme. Por një person nuk mundet që vërtet të jetë i njëjtë me një person tjetër. Ata janë dy individë të veçantë.

Megjithatë, Perëndia, jeton pa kufizimet e një universi tre-dimensional. Ai është frymë. Dhe ai është pafundësisht më kompleks seç jemi ne. Kjo është arsyeja pse Jezusi, Biri, mund të jetë i ndryshëm nga Ati. Dhe, megjithatë ata të jenë i njëjti.

Bibla flet qartë për: Perëndinë Bir, Perëndinë Atë dhe Perëndinë Frymë e Shenjtë. Por ajo na thotë qartë se ka vetëm NJË Perëndi. Në qoftë se ne do të përdornim matematikën, nuk do të ishte: 1+1+1=3. Do të ishte 1x1x1=1. Perëndia është një.

Kur Isaia tha: “Prandaj vetë Zoti do t`ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel.”14 Fjalë për fjalë, Emanuel do të thotë “Perëndia me ne.”

Jezusi tha se të njihje Atë ishte të njihje Perëndinë. Të shihje Atë ishte të shihje Perëndinë. T’i besoje Atij ishte t’i besoje Perëndisë.

Për të parë më shumë rreth jetës së Jezusit dhe se si i vërtetoi Ai këto thënie, ju lutemi shihni artikullin “Përtej besimit të verbër.”

Megjithatë, duhet të dini edhe diçka tjetër për Perëndinë. Ai ju do dhe kujdeset për ju.

Jezusi na thotë: “”Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time. Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij. Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.”15

Jezusi na fton: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t`ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!”16

Të gjitha përpjekjet për t’u munduar për të bërë mjaftueshëm për Perëndinë nuk e arrijnë qëllimin… Por Jezusi na ofron një liri të re. Ne e përjetojmë dashurinë e Tij dhe kemi një motivim të ri për t’i pëlqyer Perëndisë. Jo nga frika, por nga gëzimi në njohjen e Tij.

Një nga ndjekësit e Jezusit, Pali, e përjetoi këtë gjë dhe e komentoi atë:

“Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.”17

Në qoftë se do të donit të kuptonit se çfarë po ju ofron Jezusi, ju lutem shihni “Përtej besimit të verbër.”

 Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë
 Kam një pyetje...

Refenca: (1) Mateu 5:18 (2) Mateu 24:35 (3) 2Timoteut 3:16 (4) Isaia 40:8 (5) 2Korintasve 13:1 (6) 1Gjonit 1:1 (7) Zanafilla 3:14,15 (8) Isaia 53:1-6 (9) Isaia 9:6 (10) Gjoni 1:29 (11) Romakëve 5:8 (12) Gjoni 1:2,3 (13) Kolosianëve 1:15,16 (14) Isaia 7:14 (15) Gjoni 15:9-11 (16) Mateu 11:28-30 (17) Romakëve 8:38,39

TREGOJUA MIQVE:
WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More