A keni njohur ndonjëherë dikë që i beson vërtetë Perëndisë? Kur isha ateist, kisha një shoqe të mirë e cila lutej shpesh. Ajo më tregonte çdo javë për diçka për të cilën po i besonte Perëndisë që Ai të kujdesej. Dhe çdo javë unë shihja se si Perëndia bënte diçka të pazakontë për t’iu përgjigjur lutjes së saj. A e dini se sa e vështirë është për një ateist të vëzhgojë diçka të tillë javë pas jave? Pas njëfarë kohe, “rastësia” fillon të tingëllojë si një argument shumë i dobët.
Kështu që, pse vallë Perëndia u përgjigjej lutjeve të shoqes sime? Arsyeja kryesore është se ajo kishte një marrëdhënie me Perëndinë. Ajo dëshironte të ndiqte Perëndinë. Dhe ajo e dëgjonte vërtetë se çfarë thoshte Ai. Në mendjen e saj, Perëndia kishte të drejtën për ta drejtuar atë në jetë dhe ajo ishte shumë e lumtur që Ai bënte pikërisht këtë! Kur ajo lutej për gjëra të ndryshme, kjo ishte një pjesë e natyrshme e marrëdhënies së saj me Perëndinë. Ajo ndihej shumë rehat të dilte para Perëndisë me nevojat e saj, shqetësimet dhe çfarëdolloj problemi që dilte në jetën e saj. Për më tepër, ajo ishte e bindur, sipas asaj që kishte lexuar në Bibël, se Perëndia dëshironte që ajo të varej tek Ai pikërisht në atë mënyrë.
Ajo e tregonte mjaft mirë atë që thotë ky varg i Biblës. “Kjo është siguria që kemi përpara Tij: nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të Tij, Ai na e plotëson.”1 “Sepse sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e Tij janë në lutjen e tyre…”2
Kjo mund të jetë për shkak se ata nuk kanë një marrëdhënie me Perëndinë. Ata mund ta dinë se Perëndia ekziston dhe madje mund edhe ta adhurojnë Perëndinë herë pas here. Por ata që duket sikur nuk marrin kurrë përgjigje për lutjet e e tyre, ndoshta nuk kanë një marrëdhënie me Të. Për më tepër, ata nuk kanë marrë kurrë falje të plotë për mëkatet e tyre nga Perëndia. Po ç’punë ka kjo me këtë, mund të pyesni ju? Ja një shpjegim. “Ja, dora e Zotit nuk është tepër e shkurtër për të shpëtuar, as veshi i Tij nuk është tepër i rënduar për të dëgjuar. Por paudhësitë tuaja kanë shkaktuar një ndarje midis jush dhe Perëndisë tuaj, dhe mëkatet tuaja kanë bërë të fshihet fytyra e Tij prej jush, që të mos ju dëgjojë më.”3
Është shumë e natyrshme ta ndjejmë këtë ndarje nga Perëndia. Çfarë ndodh zakonisht kur njerëzit fillojnë t’i kërkojnë diçka Perëndisë? Ata fillojnë me, “Perëndi, kam vërtetë nevojë për ndihmën Tënde në këtë problem…” Pastaj vjen një pauzë, pas së cilës vijon një rifillim… “E kuptoj që nuk jam një person i përsosur, dhe që në fakt nuk kam asnjë të drejtë të të kërkoj ndihmë për këtë gjë…” Bëhet fjalë për të qenurit të vetëdijshëm për mëkatin dhe dështimin personal. Dhe personi në fjalë e di se nuk është vetëm ai i vetëdijshëm për këtë; ai e di se edhe Perëndia e di këtë. Është një lloj ndjenje e tipit, “Me kë po tallem?” Ajo që personi mund të mos dijë është se ata mund ta marrin faljen e Perëndisë për gjithë mëkatet e tyre. Ata mund të mos e dinë se ata mund të hyjnë në një marrëdhënie me Perëndinë e kështu Perëndia t’i dëgjojë. Ky është themeli mbi të cilin Perëndia u përgjigjet lutjeve.
Pikë së pari, duhet të filloni një marrëdhënie me Perëndinë. Imagjinoni një djalë me emrin Andi i cili vendos t’i kërkojë dekanit të një universiteti (të cilin Andi as uk e njeh) që t’i firmosë një çek për blerjen e një makine në emër të Andit. Andi normalisht do të kishte zero shanse që kjo të ndodhë. (Po marrim parasysh që dekani i atij universiteti nuk është një idiot.) Por, nëse e bija e po të njëjtit dekan do’i kërkonte të atit t’i firmoste të njëjtin çek në emër të saj, nuk do të kishte kurrfarë problemi. Marrëdhënia është vërtetë e rëndësishme.
Në rastin e Perëndisë, kur një person është vërtetë një fëmijë i Perëndisë, kur personi i përket Perëndisë, Ai e njeh atë dhe e dëgjon lutjen e tij. Jezusi tha, “Unë jam bariu i mirë. Delet e Mia e dëgjojnë zërin Tim, Unë i njoh dhe ato më ndjekin; dhe Unë u jap atyre jetën e përjetshme, dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora Ime.”4
Kur vjen puna te Perëndia, a e njeh vërtetë ti Atë dhe a të njeh Ai ty? A ke ti një marrëdhënie me Të që të të garantojë se Perëndia u përgjigjet lutjeve të tua? Apo është Perëndia tepër i largët, thjesht një koncept në jetën tënde? Nëse Perëndia është i largët, ose nëse ti nuk je i sigurt nëse e njeh Perëndinë, ja se si mund të nisësh një marrëdhënie me Të pikërisht tani: Të vihesh në lidhje.
“Në qoftë se qëndroni në Mua dhe fjalët e Mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfraë të doni dhe do t’ju bëhet.”5 Të “qëndrojnë” në Të dhe fjalët e Tij të qëndronin në ta do të thoshte se ata do t’i jetonin jetët e tyre të vetëdijshëm për Të, duke u varur në Të, duke dëgjuar çfarë thotë Ai. Atëherë këta njerëz janë në gjendje t’i kërkojnë Atij çfarë të duan. Ja dhe një përcaktues tjetër: “Kjo është siguria që kemi përpara Tij:nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të Tij, Ai na e plotëson. Dhe nëse dimë se Ai na i plotëson të gjitha ato që i kërkojmë, ne dimë se i kemi ato që i kërkuam Atij.”6 Perëndia u përgjigjet lutjeve tona sipas vullnetit të Tij (dhe sipas urtësisë së Tij, dashurisë së Tij për ne, shenjtërisë së Tij, etj.)
Për ata që e njohin dhe mbështeten në Të, Jezusi duket jashtëzakonisht bujar në ofertën e Tij: “Prandaj Zoti do të presë për t’ju dhënë hir, pastaj Ai do të lartësohet, sepse i erdhi keq për ju, sepse Zoti është një Perëndi i drejtësisë. Lum të gjithë ata që kanë shpresë tek Ai!”7
Gjëja ku ne pëngohemi është se pretendojmë të dimë se cili është vullneti i Perëndisë, pasi një gjë e caktuar ka shumë kuptim llogjik për ne! Ne pretendojmë se ka vetëm një “përgjigje” të drejtë për një lutje të caktuar, duke pretenduar kështu se sigurisht KJO është vullneti i Perëndisë. Dhe pikërisht këtu bëhen gjërat të vështira. Ne jetojmë brenda kufijve të kohës dhe kufijve të njohurisë. Ne s’kemi veçse informacion të kufizuar për një situatë dhe implikimet e veprimeve të ardhshme në lidhje me atë situatë. Të kupruarit e Perëndisë është i pakufi. Mënyra se si shpaloset një ngjarje përgjatë kursit të jetës ose historisë është diçka që Ai e di. Dhe Ai mund të ketë qëllime shumë përtej asaj që ne mund të imagjinojmë ndonjëherë. Ndaj, Perëndia nuk do të bëjë diçka thjesht sepse ne përcaktojmë se kjo gjë duhet të jetë vullneti i Tij.
Mund të mbushen faqe të tëra rreth qëllimeve të Perëndisë për ne. E tërë Bibla është një përshkrim i llojit të marrëdhënies që Perëndia dëshiron që ne të përjetojmë me Të dhe llojin e jetës që Ai dëshiron të na japë. Ja disa shembuj:
“…Zoti do të presë për t’ju dhënë hir, pastaj Ai do të lartësohet, sepse i erdhi keq për ju, sepse Zoti është një Perëndi i drejtësisë. Lum të gjithë ata që kanë shpresë tek Ai!”7 A e kuptuat këtë? Si dikush që ngrihet nga karrigja e vet për t’ju ardhur në ndihmë, “Ai do të lartësohet, sepse i erdhi keq për ju”. “Rruga e Perëndisë është e përsosur…Ai është mburoja e të gjithë atyre që gjejnë strehë tek Ai.”8 “Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej Tij (që e nderojnë Atë), me ata që shprespjnë në mirësinë e Tij.”9
Megjithatë, shfaqja më e madhe e dashurisë dhe përkushtimit të Perëndisë ndaj teje është kjo: Jezusi tha, “Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.”10 Kjo është ajo që bëri Jezusi për ne. Dhe kështu, “Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?” sepse Ai që nuk e kurseu Birin e Vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me Të?”11
Sigurisht që njerëzit sëmuren, madje edhe vdesin; problemet financiare janë reale, dhe në jetë mund të përballemi me të gjitha llojet e situatave të vështira. Po në këto raste?
Perëndia na thotë që t’ia kalojmë Atij të gjitha shqetësimet tona. Edhe kur situata mbetet e dëshpëruar, “Dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi Të, sepse Ai merakoset për ju.”12 Rrethanat mund të duken si jashtë kontrollit, por në fakt nuk janë. Kur e tërë bota duket sikur po shembet, Perëndia mund të na mbajë të fortë. Këto janë ato situata kur personi mund të jetë shumë mirënjohës që njeh Perëndinë. “Zoti është afër. Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falenderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.”13 Perëndia mund të sigurojë zgjidhje, lehtësira për problemet tona SHUMË më tepër sesa mund të imagjinojmë si të mundshme. Çdo i krishterë mund të bëjë një listë të gjatë shembujsh të tillë në jetën e vet. Por nëse rrethanat nuk përmirësohen, Perëndia përsëri mund të na japë paqen e Tij në mes këtyre rrethanave të rënda. Jezusi tha, “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen Time: Unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.”14
Është pikërishtë në këtë pikë (kur rrethanat janë vërtetë të rënda) që Perëndia na kërkon të vazhdojmë të kemi besim tek Ai – që “të ecim sipas besimit, jo sipas vizionit” thotë Bibla. Por ky nuk është besim i verbër. Është besim i bazuar në vetë karakterin e Perëndisë. Një makinë që ecën mbi urën Golden Gate është e mbështetur plotësisht nga integriteti i urës. Nuk ka rëndësi se çfarë mund të jetë duke ndjerë shoferi, ose se për çfarë po mendon ai, apo se për çfarë po diskuton me dike që është ulur në sediljen e pasegjerit. Ajo që e çon makinën në anën tjetër në mënyrë të sigurtë është integriteti i urës, të cilës shoferi zgjodhi t’i besojë.
Në të njëjtën mënyrë, Perëndia na kërkon neve t’i besojmë integritetit të Tij, karakterit të Tij…dhembshurisë, dashurisë, urtësisë, drejtësisë së Tij ndaj nesh. Ai thotë, “Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me dashamirësi.”15 “Ki besim tek Ai vazhdimisht, o popull, hap zemrën tënde para Tij; Perëndia është streha jonë.”16
Perëndia është ofruar t’u përgjigjet lutjeve të fëmijëve të Tij (atyre që e kanë pranuar Atë në jetët e tyre dhe kërkojnë ta ndjekin Atë.) Ai na kërkon t’i çojmë Atij çdo shqetësim nëpërmejet lutjes dhe Ai do të veprojë sipas vullnetit të Vet. Teksa përballemi me vështirësi, ne duhet t’ia kalojmë Atij të gjitha meraqet tona dhe të marrim prej Tij një paqe e cila sfidon rrethanat. Baza e shpresës dhe besimit tonë është karakteri i vetë Perëndisë. Sa më mirë që ta njohim, aq më të prirur bëhemi për t’i besuar Atij.
Për më shumë mbi karakterin e Perëndisë, ju lutemi shikoni “Kush është Perëndia?” ose artikujt e tjerë të kësaj faqeje. Arsyeja e lutjevë tona është karakteri i Perëndisë. Lutja e parë të cilës i përgjigjet Perëndia është lutja jote për të nisur një marrëdhënie me Të.
(Artikulli nga Marilyn Adamson)
► | Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë |
► | Kam një pyetje... |
Refenca: (1) 1 Gjonit 5:14 (2) 1 Pjetrit 3:12 (3) Isaia 59:1,2 (4) Gjoni 10:14,27-28 (5) Gjoni 15:7 (6) 1 Gjonit 5:14,15 (7) Isaia 30:18 (8) Psalmi 18:30 (9) Psalmi 147:11 (10) Gjoni 15:13 (11) Romakëve 8:32 (12) 1 Pjetrit 5:7 (13) Filipianëve 4:5-7 (14) Gjoni 14:27 (15) Jeremia 31:3 (16) Psalmi 62:8