Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë
Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë

Paqe e mendjes në një botë të paqëndrueshme

Gjetja e paqes së brendshme: Në kohë të pasigurta, si mund të kesh paqe të mendjes në vend të shqetësimit dhe ankthit

WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More PDF

Pavarësisht se çfarë ndodh në botë apo në jetën tonë individuale, a ka ndonjë vend ku mund të shkosh për stabilitet? A mund ta shikojmë të ardhmen me shpresë, pavarësisht nga rrethanat? Në këto kohë studentët po e shohin vlerën e Perëndisë si konstanten e tyre. Bota rreth nesh ndryshon vazhdimisht, por Perëndia nuk ndryshon. Ai është i qëndrueshëm, i besueshëm. Ai thotë, “A ka vallë ndonjë Perëndi përveç meje? Jo, nuk ka asnjë shkëmb tjetër; nuk njoh të tillë. Sepse unë, Zoti, nuk ndryshoj.”1 Perëndia është gjithmonë atje. Ai është besnik. Ai është “i njëjti dje, sot, dhe përjetë.”2 Dhe Perëndia mund ta bëjë veten e Tij të njohur, duke na dhënë paqe në mendje dhe në zemër nëpërmjet pranisë së Tij.

Është e mundur paqja e brendshme?

Heather, një studente e sapodiplomuar e Stanford-it u shpreh kështu: “Të jesh në një marrëdhënie të vërtetë me Perëndinë është një realitet i bukur dhe emocionues i përditshëm. Është një ‘shoqëri kozmike’ që nuk do ta ndërroja me gjithë botën. Unë njihem në një mënyrë të thellë dhe duhem në një mënyrë që vetëm mund të shpresoj ta komunikoj në mënyrë të mjaftueshme.”

Studenti Stiv Sojer, një hemofilik, zbuloi se kishte marrë HIV nga një transfuzion gjaku. Në fillim ai u dëshpërua shumë dhe fajësoi Perëndinë. Pastaj Stivi e kërkoi Perëndinë. Rezultati: vitet e fundit të jetës së tij, Stiv udhëtoi në shumë qendra studentore (duke duruar shumë dhimbje) vetëm për t’iu treguar moshatarëve të tij se si mund ta njihnin Perëndinë dhe të përjetonin paqen që ai kishte përjetuar duke e njohur Atë. Jezusi tha, “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time; unë po jua jap, po jo si e jep bota. Zemra juaj mo u trondittë dhe mos u frikësoftë. Në botë do të keni mundime, por merrni zemër; unë e munda botën.”3

Edhe studentë të tjerë kanë mësuar ashtu si Stivi, se çfarëdo që të ndodhë në këtë jetë, nuk është “fundi i botës”–sepse kjo botë nuk është fundi.

Perëndia i llogoreve

Të gjithë e dimë se shumë njerëz presin derisa vijnë vështirësi vërtet të mëdha për t’u kthyer te Perëndia. Një kapelan ushtarak nga Lufta e Dytë Botërore tha “Nuk ka ateistë në llogore.” Kur jeta shkon vaj njerëzit mendojnë se s’kanë nevojë për Perëndinë. Por ky qëndrim ndryshon kur gjërat ngatërrohen, kur e kuptojmë se jemi në llogore.

Kerina, një studente në Virxhinia, tregon për rrugën e saj për tek Perëndia: “Mendoja se isha e krishterë sepse shkoja në kishë çdo të diel, por s’kisha asnjë ide se si ishte Perëndia. Viti i fundit në shkollë të mesme ishte pak a shumë si tre të tjerët. Pjesën më të madhe të kohës isha e dehur, në qejf ose duke kërkuar dikë që të më donte. Po vdisja përbrenda dhe s’kisha fare kontroll mbi jetën time. Kur kuptova se sa shumë doja që jeta ime të merrte fund, kuptova që kur të shkoja në universitet duhej të gjeja një shpresë. Në atë kohë i kërkova Perëndisë të vinte në jetën time. Ai më ka treguar dashuri, siguri, falje, mbështetje, ngushëllim, pranim dhe një qëllim për të jetuar. Ai është forca ime, dhe po të mos ishte për Të nuk do të isha sot këtu.”

Kush e di çfarë do të ndodhë në mijëvjeçarin e ri? Shumë studentë mund të ndihen si në një llogore. Jeta mund të jetë luftë. Paqja jonë e mendjes mund të tronditet shumë. Në ato momente kur vështirësitë janë të mëdha, ne shpesh kujtohemi për Perëndinë. S’ka problem, sepse Perëndia, i pandryshueshmi, është atje dhe dëshiron të përfshihet në jetën tonë. Ai thotë, “Unë, po unë, jam Zoti; dhe nuk ka asnjë shpëtimtar tjetër. Kthehuni tek unë dhe shpëtohuni…sepse unë jam Perëndia, dhe nuk ka asnjë tjetër.”4

Po, Perëndia mund të mendohet si “patericë,” por ka të ngjarë që Ai të jetë e vetmja “patericë” e vërtetë.

Llogoret e padukshme

Disa njerëz, megjithatë, kthehen tek Perëndia edhe kur gjërat duken se po shkojnë mirë. Xhoni, një student në Teksas, tha: “Nga viti i fundit kisha arritur çdo gjë për të cilën njerëzit më thoshin se do të më bënte të ndihesha i plotësuar -role udhëheqëse në organizatat e qendrës studentore, mbrëmje argëtuese, nota të mira, shoqëri me vajza tërheqëse. Çdo gjë që doja të bëja dhe të arrija gjatë kohës së universitetit ndodhi-dhe prapë nuk ndihesha i plotësuar. Diçka ende mungonte dhe nuk kisha ku të shkoja tjetër. Patjetër që askush nuk e dinte si po ndihesha–nga jashtë nuk e tregoja.”

Edhe kur gjërat duket se shkojnë mirë, jeta prapë mund të nxjerrë një llogore–një llogore të brendshme që është e padukshme për syrin, por ndihet në zemër. Beki, një studente në Illinois, e përshkroi kështu këtë fenomen: “Sa herë ke menduar se po ta kishe atë veshje, ose atë të dashur, ose po të shkoje në filan vend, atëherë jeta jote do të ishte e lumtur dhe e plotë? Dhe sa herë e ke blerë atë veshje, ose ke dalë me atë djalë, ose ke vizituar atë vend dhe je larguar që andej duke u ndjerë më bosh sesa në fillim?”

Ne nuk kemi nevojë për dështime apo tragjedi për t’i ndjerë llogoret. Shumicën e rasteve mungesa e paqes vjen nga mungesa e Perëndisë në jetën tonë. Beki tregon për atë që ndodhi pasi e njohu Perëndinë, “Që atëherë kam pasur shumë luftëra dhe ndryshime në jetë, por çdo gjë që bëj merr një perspektivë të re kur e di se kam një Perëndi të dashur dhe të përjetshëm përkrah. Unë besoj se s’ka asgjë që unë dhe Perëndia s’mund ta përballojmë së bashku –dhe sa për përmbushjen që e kam kërkuar aq shumë, më në fund e kam gjetur.”

Me përfshirjen e Perëndisë në jetët tona ne mund të rrimë të qetë. Duke e njohur Perëndinë dhe duke dëgjuar atë që Ai thotë në Bibël, do të kemi paqe të brendshme në jetën tonë. Ne e shohim jetën nga këndvështrimi i Tij, të vetëdijshëm për besnikërinë dhe aftësinë e Tij për t’u kujdesur për ne. Prandaj, pavarësisht se çfarë sjell mijëvjeçari i ri, ne mund ta vendosim shpresën në Perëndinë si të pandryshueshmin tonë. Ai po pret ta tregojë Veten në jetën tonë nëse ne do të kthehemi tek Ai dhe do ta kërkojmë.

Paqja e vërtetë e brendshme – Ndërtimi në Shkëmb

A po ndërtoni mbi diçka në jetën tuaj? E besoni apo jo, çdo person po ndërton mbi diçka. Secili prej nesh e ka një themel, diçka në të cilën ka vendosur shpresën dhe besimin. Ndoshta është vetvetja–“Unë e di që mund ta bëj jetën time të suksesshme nëse punoj sa duhet.” Ose një mënyrë jetese–“Nëse mund të fitoj mjaft para, jeta do të jetë e mrekullueshme.” Ose madje edhe një periudhë kohe–“Mijëvjeçari i ri do t’i ndryshojë gjërat.”

Perëndia ka një këndvështrim tjetër. Ai thotë se vetja jonë është themel i dobët për të vendosur shpresën dhe besimin dhe po ashtu edhe njerëzit e tjerë, ose çdo gjë tjetër që kjo botë ofron. Ai do që ne t’i besojmë Atij. Ai thotë, ” Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb. Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb. Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë. Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh.”5

Është gjë e mençur ta përfshish Perëndinë në jetë për ato kohë kur vijnë katastrofat. Por qëllimi i Perëndisë është që ne të kemi një jetë me bollëk pavarësisht nga rrethanat. Ai dëshiron të ketë një ndikim pozitiv në çdo fushë të jetës sonë. Kur mbështetemi mbi Të dhe Fjalën e Tij, ne ndërtojmë mbi Shkëmb.

Paqja përfundimtare e mendjes

Disa njerëz do të ndiheshin të sigurt po të ishin bijtë e një multi-milioneri, ose po ta dinin që mund të merrnin me lehtësi nota të mira. Në një marrëdhënie me Perëndinë ka siguri edhe më të madhe.

Perëndia është i fuqishëm. Ndryshe nga ne, Perëndia e di çfarë do të ndodhë nesër, javën tjetër, vitin tjetër, dekadën tjetër. Ai thotë, “Unë jam Perëndia, dhe s’ka asnjë si unë, që e shpall fundin që në fillim.”6 Ai e di çfarë do të ndodhë në mijëvjeçarin e ri. Më e rëndësishmja, Ai e di çfarë do të ndodhë në jetën tënde dhe do të jetë atje kur ajo të ndodhë, nëse ti ke zgjedhur ta përfshish Atë në jetën tënde. Ai na thotë se Ai mund të jetë “një strehë dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.”7 Por ne duhet të bëjmë përpjekje të sinqerta për ta kërkuar Atë. Ai thotë, “Ju do të më kërkoni dhe do të më gjeni, kur të më kërkoni me të gjithë zemrën tuaj.”8

Kjo nuk do të thotë se ata që e njohin Perëndinë nuk do të kalojnë kohë të vështira. Por ka një paqe dhe një forcë që e jep prania e Perëndisë. Një ndjekës i Jezu Krishtit e shprehu kështu këtë: “Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por jo të ngushtuar deri në fund; jemi ndërdyshas, po jo të dëshpëruar; jemi të përndjekur, por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatërruar.”9 Realiteti na thotë që ne do të ndeshim probleme. Megjithatë, nëse i kalojmë ato në një marrëdhënie me Perëndinë, ne mund të reagojmë ndaj tyre me një këndvështrim të ndryshëm dhe me një forcë që nuk është e jona. Asnjë problem nuk është i pakapërcyeshëm për Perëndinë. Ai është më i madh se gjithë problemet që mund të na godasin ne, dhe ne nuk jemi lënë vetëm për t’u marrë me to.

Perëndia merakoset për ne. Fuqia e madhe e Perëndisë, e cila mund të shfaqet në jetën tonë, shoqërohet me dashurinë e Tij të thellë. Mijëvjeçari i ri mund të jetë një kohë paqeje botërore që kurrë nuk është parë më parë, ose ndoshta do të ketë më shumë urrejtje dhe dhunë etnike, më shumë divorce, etj. Në secilin rast, askush nuk do të na dojë më shumë se sa Perëndia. Askush nuk do të merakoset për ne sa ç’mund të merakoset Perëndia. Fjala e Tij na thotë, “Zoti është i mirë, është një fortesë në kohën e fatkeqësisë. Ai i njeh ata që kërkojnë strehë tek Ai.”10 “Dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi Të sepse Ai merakoset për ju.”11 Dhe, “Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhembshuri për të gjitha veprat e Tij. Zoti është pranë të gjithë atyre që e kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë. Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej Tij; dëgjon britmën dhe i shpëton.”12

Jezu Krishti iu tha ndjekësve të tij këto fjalë ngushëlluese: “A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe, megjithatë asnjëri prej tyre nuk bie në tokë pa dashjen e Atit tuaj. Sa për ju, madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara. Mos kini frikë, pra; ju vleni më tepër se shumë harabela.”13 Nëse ktheheni tek Perëndia, ai do të kujdeset për ju si askush tjetër, dhe në një mënyrë që askush tjetër nuk mund ta bëjë.

Paqe e mendjes nëpërmjet Perëndisë

Ne nuk kemi asnjë ide se çfarë do të sjellë mijëvjeçari i ri. Nëse sjell kohë të vështira, Perëndia do të jetë atje për ne. Nëse sjell kohë të mira, ne përsëri do të kemi nevojë për Perëndinë që të mbushë atë boshllëkun e brendshëm që kemi dhe t’iu japë jetëve tona kuptim.

Në fund të fundit, çfarë ka më shumë rëndësi? Ajo që ka më shumë rëndësi është që ne të mos jemi të ndarë nga Perëndia. A e njohim ne Perëndinë? A na njeh Ai ne? A e kemi nxjerrë jashtë nga jetët tona? Apo e kemi ftuar në to? Nëpërmjet njohjes së Tij, Ai prodhon në ne një këndvështrim të ndryshuar dhe na jep shpresë. Nëpërmjet marrëdhënies me Të ne mund të kemi paqe në mes të çdo rrethane.

Pse duhet që Perëndia të jetë në qendër të jetës sonë? Sepse nuk ka paqe ose shpresë të vërtetë pa njohjen e Tij. Ai është Perëndia dhe ne nuk jemi. Ai nuk mbështetet mbi ne, por ne duhet të mbështetemi tek Ai. Ai na krijoi për të pasur nevojë për praninë e Tij në jetën tonë. Ne mund të përpiqemi ta bëjmë jetën të funksionojë pa Të, por do të jetë e kotë.

Perëndia dëshiron që ne ta kërkojmë Atë. Ai dëshiron që ne ta njohim dhe ta përfshijmë në jetët tona. Por ka një problem: ne të gjithë e kemi nxjerrë jashtë Atë. Bibla e përshkruan këtë kështu: “Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet.”14 Ne të gjithë jemi përpjekur të jetojmë pa Perëndinë. Kjo është ajo që Bibla e quan “mëkat.”

Heather, që u citua edhe më parë, thotë në lidhje me mëkatin: “Kur hyra në Stanford, nuk isha e krishterë. Bota shtrihej te këmbët e mia, duke pritur të revolucionarizohej. Merrja pjesë në takime politike, ndiqja leksione mbi racizmin dhe drejtësinë sociale, dhe e zhyta veten në qendrën e shërbimit të komunitetit. Besoja në fuqinë brenda meje për të sjellë një ndryshim të dukshëm në botë. Ndihmoja fëmijët pa të drejta të shkollës fillore; drejtoja kampin ditor në një shtëpi për të pastrehët; mblidhja ushqimet që mbeteshin për të ushqyer të uriturit. Megjithatë, sa më shumë përpiqesha të ndryshoja botën, aq më shumë dekurajohesha. Ndesha burokraci, apati, dhe…mëkat. Fillova të mendoj se ndoshta natyra njerëzore kishte nevojë për një remont kapital (rregullim të plotë).”

Paqja e vërtetë = Paqe me Perëndinë

Kohët që ndryshojnë dhe teknologjia e përmirësuar nuk kanë edhe aq rëndësi në tablonë e madhe të gjërave. Pse? Sepse problemi ynë kryesor si njerëz është që ne e kemi larguar veten nga Perëndia. Problemet tona më të mëdha nuk janë fizike, por shpirtërore. Perëndia e di këtë, prandaj siguroi një zgjidhje për ndarjen tonë prej Tij. Ai krijoi një rrugë që ne të kthehemi tek Ai…nëpërmjet Jezu Krishtit.

Bibla thotë që, “Perëndia aq shumë e deshi botën, saqë e dha Birin e Tij të vetëmlindurin, që kushdo që beson në Të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”15 Jezu Krishti u kryqëzua (një formë e lashtë ekzekutimi) për mëkatet tona, në vendin tonë. Ai vdiq, u varros dhe u ringjall nga të vdekurit. Për shkak të vdekjes së Tij flijuese, ne mund të vijmë në një marrëdhënie me Perëndinë–“Atyre që e pranuan, Ai u dha pushtetin të bëhen fëmijë të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e Tij.”16

Është kaq e thjeshtë: Perëndia dëshiron të jetë në një marrëdhënie të përsosur me ne–prandaj Ai e bëri atë marrëdhënie të mundur nëpërmjet Jezusit. Pra, tani mbetet në dorën tonë të kërkojmë Perëndinë dhe ta ftojmë Atë në jetën tonë. Shumica e njerëzve e bëjnë këtë nëpërmjet lutjes. Lutje do të thotë të flasësh hapur me Perëndinë. Që tani mund t’i drejtohesh Perëndisë duke i thënë Atij diçka të tillë me sinqeritet: “Perëndi, unë dua të të njoh. Deri tani nuk të kam lejuar në jetën time, por dua që kjo të ndryshojë. Dua të përfitoj nga zgjidhja Jote për ndarjen time nga Ti. Unë mbështetem në vdekjen e Jezusit në vendin tim që unë të jem i falur dhe i pajtuar me Ty. Dua që Ti të përfshihesh në jetën time që nga kjo ditë e tutje.”

A e ke ftuar me sinqeritet Perëndinë në jetën tënde? Vetëm ti dhe Ai mund ta dini me siguri këtë. Nëse po, ti mund të presësh shumë gjëra të mira. Perëndia premton ta bëjë jetën tënde të tashme një jetë me bollëk për shkak të marrëdhënies tënde me Të.17 Ai premton të banojë në ty.18 Dhe Ai të jep jetën e përjetshme.19

Melisa, një studente në New England, thotë në lidhje me Perëndinë: “Nëna u nda nga babai kur unë isha shumë e vogël dhe nuk e kuptoja ç’po ndodhte. Dija vetëm që babai nuk vinte më në shtëpi. Një ditë shkova për vizitë nga gjyshja dhe i thashë asaj që nuk e kuptoja pse babai duhej të më lëndonte dhe pastaj të largohej. Ajo më përqafoi dhe më tha që ishte dikush që nuk do të më braktiste kurrë, dhe ai dikush ishte Jezusi. Ajo citoi Hebrenjtë 13:5 dhe Psalmin 68:5 që thonë ‘Kurrë nuk do të të lë, kurrë nuk do të të braktis’ dhe ‘Ai do të jetë një baba për jetimin.’ Unë u gëzova shumë që Perëndia donte të ishte babai im.”

Çfarëdo që të ndodhë në botën rreth teje, mund të kesh paqe në mendje duke ditur që Perëndia mund të jetë atje për ty. Çfarëdo që mijëvjeçari i ri të sjellë, ti mund të kesh Perëndinë si të pandryshueshmin tënd.

Për t’u rritur në njohjen e Perëndisë dhe të dashurisë së Tij për ty, lexo ungjillin sipas Gjonit në Bibël. Nëse ke pyetje për ndonjë nga çështjet e ngritura në këtë artikull, të lutem na kontakto.

 Sapo e ftova Jezusin në jetën time (këtu do të gjeni informacion të dobishëm)...
 Mbase dëshiroj ta ftoj Jezusin në jetën time, ju lutem ma shpjegoni këtë më qartë...
 Kam një pyetje...

Refenca: (1) Isaia 44:8 dhe Malakia 3:6 në Bibël (2) Hebrenjve 13:8 (3) Gjoni 14:27 dhe 16:33 (4) Isaia 43:11 dhe Isaia 45:22 (5) Mateu 7:24-27 (6) Isaia 46:9-10 (7) Psalmi 46:1 (8) Jeremia 29:13 (9) 2 Korintasve 4:8-9 (10) Nahumi 1:7 (11) 1 Pjetrit 5:7 (12) Psalmi 145:17-19 (13) Mateu 10:29-31 (14) Isaia 53:6a (15) Gjoni 3:16 (16) Gjoni 1:12 (17) Gjoni 10:10 (18) Gjoni 14:23 (19) 1 Gjoni 5:11-13

TREGOJUA MIQVE:
WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More