Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë
Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë

Propozimi!

WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More PDF

Dashuria.
E vë në lëvizje gjithë globin! Poetët e shkrimtarët gjithashtu. Sa shumë i ka folur shpirtit të njeriut.

Filmi i mëposhtëm na propozon pikërisht një nga skenarët e dashurisë që përsëriten me mijëra herë çdo ditë anembanë botës.

Një djalë bie në dashuri me një vajzë. Ai planifikon darkën e parë romatike. Zgjedh restorantin e duhur. Zë tavolinën për të darkuar. Ambjenti duket i këndshëm dhe shërbimi i përshtatshëm. “Duhet të lë përshtypje të mirë”, i thotë ai kamarierit. Vetë kamarieri e di se s’ka një mundësi të dytë për të lënë përshtypjen e parë të duhur!

Mirëpo emocionet s’e lënë rehat. Papritur, një njollë vere bie mbi këmishën e bardhë. Fillon kalvari i djalit për të hequr njollën me lloj përpjekjesh. Aq i lodhur duket nga përpjekjet, saqë në fund ai vendos të ulet përballë vajzës së ëndrrave të tij me gjithë njollën, duke u përpjekur ta qetësojë veten se është vetëm një njollë aksidentale. Por vajza e ëndrrave të tij, përfiton nga pritja për ta rregulluar veten më mirë. Dhe djali e kupton se njolla nuk mund të lihej mënjanë pa pasoja.

Për fat të tij, kamarieri që i shërbeu që në fillim e që e kishte ndihmuar aq shumë deri në ato momente, vjen me një propozim radikal:

“Njolla nuk mund të hiqet e as mund të anashkalohet, por ajo mund të shkëmbehet.”

Kamarieri vendos t’i japë djalit këmishën e tij të pastër, e të mbajë vetë këmishën me njollë.

Kështu ai bëhet shpëtimtari i këtij djali. Por ky shpëtim radikal përkthehej në sakrificë gjithashtu radikale nga ana e kamarierit. Ishte nata e tij e parë e punës. Pronari i ri i restorantit do të vinte pikërisht atë natë për vizitë, “për të vënë gjërat në rregull”. Një nga kolegët sapo është pushuar nga puna. Dhe me një njollë të tillë të dukshme, zor se pronari i ri do të tolerojë…

Kjo histori ngjan shumë me një tjetër histori, më të hershme, e që ka vënë në lëvizje gjithë globin gjithashtu.

Historia e dashurisë së Krijuesit për krijesën e tij, njeriun. Një dashuri gjithmonë e përsosur, e pafundme, më se e dëshiruar (kur kuptohet ashtu siç është) nga të gjithë ne njerëzit, nevojtarë të përjetshëm ndaj një dashurie të tillë.

Por ashtu si edhe në historinë e filmit, një njollë që hyn në mes, e prish gjithë punën. Njolla e mëkatit, e marrë në Kopështin e Edenit, kur njeriu e refuzoi atë, në parajsën e krijuar nga Perëndia, në cilën të shprehej kjo dashuri (njëlloj si restoranti), nuk mund të lihej mënjanë. Duhet të merremi me të!

Ashtu sikurse djali u përpoq të hiqte njollën, njëherë duke e fshirë me ujë, herën tjetër me një truk të sugjeruar nga TV, pastaj me një mjet ndihmës (laps njollaheqës), po ashtu edhe ne si njerëz, përpiqemi çdo ditë herë duke u përpjekur të jetojmë të pastër e herë duke u përpjekur të pastrojmë njollat me truke të ndryshme.

Më kot! Asgjë nuk mund të na shpëtojë nga kjo njollë e keqe që na lë larg të shijuarit të dashurisë më të mirë, të dashurisë së vetme e të përsosur që ka ekzistuar ndonjëherë në këtë botë – Dashuria e Zotit për njerëzimin!

Vetëm një gjë mund të na shpëtojë e të na lejojë ta shijojmë këtë dashuri. Na duhet një shkëmbim! Dikush duhet të sakrifikojë për ne! Po kush? A ka ndonjë të tillë në këtë botë, pa njollë e të gatshëm të sakrifikohet për mua, për ty?

Sipas Biblës, të gjithë mëkatuan dhe u ndanë nga dashuria e Perëndisë. E pikërisht në këtë moment hyn në skenë vetë Krijuesi. Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme. Ai, Krishti, u sakrifikua për mua e për ty nga dashuria që ka për ne. Ai të zgjat dorën e tij të dashurisë dhe të thotë se është gati të “veshë këmishën me njollë” tënden, në mënyrë që takimi yt me dashurinë e përsosur të mos pengohet.

Ai nuk do të të detyrojë. Dashuria e vërtetë nuk e njeh detyrimin. Vendimi të përket ty.

Ç’do të bësh me këtë propozim? Do ta pranosh apo mohosh? (Unë vetë e kam pranuar këtë propozim shkëmbimi!)

Nëse dëshiron që të rifitosh dashurinë e përsosur të Perëndisë, duke shkëmbyer njollën me Krishtin, atëhere bëja të njohur vendimin tënd Perëndisë duke i thënë pak a shumë fjalët e sugjeruara më poshtë. Nuk ka nevojë për një situatë dramatike, por vetëm sinqeritet. Ai që njeh zemrat e gjithë njerëzve është gati të pranojë kërkesën tënde:

“Zoti Jezu, kam nevojë për Ty. Faleminderit që ke dhënë jetën për mua në kryq. Unë e hap zemrën time dhe të pranoj si Shpëtimtarin dhe Zotin tim. Faleminderit që m’i fale mëkatet dhe që më dhe jetën e përjetshme. Ulu në fronin e jetës sime dhe udhëhiqe atë, Më ndihmo që të bëhem ashtu siç dëshiron Ti të jem.”

E. Kole

Ne kemi dëshirë të dimë mendimin tuaj edhe ta vazhdojmë bisedën. Na kontaktoni përmes mënyrave të mëposhtme:

 Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë
 Kam një pyetje...
TREGOJUA MIQVE:
WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More