Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë
Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë

A ka shpresë për një martesë të qëndrueshme?

Këshilla e mëposhtme për marrëdhënien do t’ju ndihmojë t’i minimizoni problemet martesore dhe të shmangni pjesëmarrjen në statistikat e divorcit.

WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More PDF

nga Denis Reini

Dikur një grua më tregoi pikëpamjen e saj për martesën:

“Është njëlloj si të këqyrësh një shkretëtirë me anë të dylbive. Kudo që hedh sytë, shikoj trupa të hedhur andej-këtej në faza të ndryshme të vdekjes dhe duke vdekur–divorc, izolim, marrëdhënie abuzive dhe të kalbura, të gjitha llojet e shkretimit. Pasi vështroj këtë gjë, i bëj vetes pyetjen: “Përse t’i futem kësaj rruge?”

Shumë studentë sot bëjnë të njëjtën pyetje. Edhe pse dëshirojnë fort sigurinë dhe gëzimin e një marrëdhënieje jetëgjatë, ata i frikësohen martesës. Një e sapomartuar tha në një artikull të gazetës Newsweek: “E pashë nga afër rënimin e martesës së prindërve të mi dhe nuk isha e sigurt nëse vetë do t’ia dilja mbanë.”1

Rezultate të Statistikave me Vlerësim të Lartë Divorci

Asnjë brez që ka arritur moshën për martesë nuk ka sjellë ndonjëherë me vete më shumë probleme të shkaktuara nga ndarjet e familjeve. Në Shtetet e Bashkuara më shumë se një milion fëmijë përjetojnë çdo vit ndarjen e familjeve të tyre.2

Një numër i madh studentësh kujtojnë përvoja të tilla si:

Meri: Një mbasdite ajo u kthye nga shkolla dhe takoi të atin duke dalë nga shtëpia me një valixhe në dorë. Ai po e braktiste familjen. “Do kthehem të të shoh, zemër,” i tha. I ati i Merit e puthi në ballë dhe u largua. Që nga ajo ditë, ajo nuk e pa më.

Roberti: Prindërit e tij u divorcuan kur ishte pesë vjeç. Ai ka jetuar me të ëmën e cila u martua edhe me tri burra të tjerë dhe pi shumë. Njerku i tij i parë e rrahu një herë kur ai derdhi Coca-Cola në makinë.

Keri: Prindërit e saj janë ende të martuar por krejt të fokusuar në karrierën e tyre fitimprurëse. Babi dhe mami rrallë i ndoqën koncertet e orkestrës së saj gjatë shkollës së mesme dhe tani që ka shkuar në universitet, flet rrallë me secilin prej tyre. Kur familja komunikon, kjo ndodh ose me anë të e-mailit ose me anë të mesazheve në sekretarinë telefonike.

Filipi: Një natë në vitin e tretë të shkollës së mesme, Filipi u zgjua nga zhurma e grindjes së prindërve. Ai dëgjoi një përplasje dhe një ulërimë. Filipi e gjeti të ëmën në kuzhinë të gjakosur nga plaga e një thike. Filipi i telefonoi policisë dhe ata arrestuan të atin. Filipi bashkë me të ëmën dhe motrat më të vogla shkuan të jetonin në një barakë. Ai nuk e di se ku jeton i ati.

Ju ndoshta njihni njerëz si Meri, Roberti, Keri dhe Filipi. Përvoja juaj mund të jetë e ngjashme me të tyren apo edhe me keq. Ndoshta shtëpia juaj zien nga konflikti, mungesa e harmonisë dhe ankthi. Si rrjedhim, jeni menduar mirë nëse duhet të martoheni– nuk doni të përfundoni në një marrëdhënie të mbushur me dhimbje dhe zhgënjim, dhe t’u shkaktoni një tërmet emocional fëmijëve tuaj. Ju pëlqen ideja për ta ndarë jetën me dikë që ju do, por nëse jeni të sinqertë, martesa është tepër e frikshme. Ju mund të pyesni veten: “A do të jem në gjendje ta harroj dëmin që më bëri familja ime? A do të jem në gjendje të përjetoj një martesë dhe familje të lumtur dhe të shëndetshme?”

Përgjigjia është në mënyrë të padiskutueshme ‘po’.

Që nga viti 1976 punoj me një organizatë që është në ndihmë të familjeve dhe kam parë mijëra martesa, që në pamje të parë nuk kishin aspak shpresë, t’ia dalin mbanë. Perëndia ka një rrugëdalje që njerëzit e lënduar të përjetojnë marrëdhënie të shëndetshme. Do të flasim për këtë më vonë.

Martesa–Ia vlen edhe me probleme

Me gjithë problemet dhe dhimbjen, pse njerëzit duan ende të martohen? Edhe pse martesa sulmohet keqas në ditët e sotme, ecja për në altar është ende diçka shumë e pëlqyer. Një anketim i fundit i Luis Harrisit nxori se 96% e studentëve duan të martohen apo tashmë janë të martuar. Nëntëdhjetë e shtatë përqind ishin dakord me thënien–“Pasja e marrëdhënieve të ngushta familjare është çelësi drejt lumturisë.”3

Pra, edhe pse rreth një në katër amerikanë të rritur të moshës nga 18 vjeç e sipër janë të divorcuar,4 mundësia për të patur një martesë të mirë e të qëndrueshme e bën pothuajse këdo të gatshëm për ta provuar njëherë. E pra, pse është martesa kaq tërheqëse?

E vërteta është se asnjë nuk dëshiron të jetë i vetëm. Edhe pse e bëjmë të madhe çështjen e “bërjes së gjërave si të duam” dhe këmbëngulim për të drejtat individuale, të gjithë dëshirojmë sigurinë dhe ngrohtësinë e një marrëdhënieje intime me dikë që çmendet pas nesh. Ne mund të themi se “duam të jemi vetëm” dhe dëshirojmë “pak hapësirë”, por dëshira jonë më e fortë është ta ndajmë këtë hapësirë me dikë që na do.

Edhe pse tërheqja seksuale është një pjesë e rëndësishme e dëshirës tonë për intimitet, këto dëshira për t’u lidhur fort me një person tjetër nuk janë vetëm për seks. Kjo dëshirë e zjarrtë për t’u njohur dhe vlerësuar nga dikush tjetër vjen nga mënyra si jemi projektuar që në fillim.

Shkaqet e Statistikave të Larta të Divorcit

Pse ndodh atëherë që kaq shumë njerëz, të cilët dëshirojnë dhe kanë nevojë për të qenë pranë dikujt, përfundojnë të divorcuar, shpeshherë të mbushur me zemërim dhe zhgënjim? Shumica e atyre që martohen përpiqen të arrijnë një lidhje të fortë e të qëndrueshme të bazuar kryesisht tek ndjenjat (emocionet). Në shumicën e marrëdhënieve dashuria dhe pranimi vazhdojnë për aq kohë sa personi tjetër po plotëson një nivel të caktuar pritjeje. Nëse ndjenjat janë të ngrohta, burri dhe gruaja mund ta shijojnë shoqërinë e njëri-tjetrit, i shpërfillin karakteristikat e mërzitshme të partnerit, komunikojnë siç duhet dhe akoma shprehin afeksion (dashamirësi).

Por kur ndjenjat ftohen, njëri ose të dy së bashku mësojnë se nuk kanë asnjë rezervë apo aftësi për të dashur një person me sa duket të papërsosur. Tashmë nevojat nuk plotësohen, gjë që shkakton lëndim, nxit vetëmbrojtje, dobëson komunikimin e mirë, shton keqkuptimet, provokon konflikt, dhe që i hedh zjarr zemërimit dhe trishtimit. Nëse falja dhe pajtimi nuk e ndalin këtë spirale në rënie, aftësia për ta dashur njëri-tjetrin paralizohet.

Ky model në pothuajse të gjitha marrëdhëniet mund të shmanget për aq kohë sa çështjet e nxehta që provokojnë egoizmin nuk ekzistojnë apo janë hijëzuar. Por herët a vonë realiteti godet. Megjithë qëllimet më të mira të një çifti, ata kuptojnë se dy njerëzve të pavarur nuk mund t’u plotësohen të gjitha nevojat e tyre gjatë gjithë kohës.

Këshilla për Marrëdhënien–Si t’i shmangim problemet martesore

Që një marrëdhënie të funksionojë siç duhet, kërkohet bashkëpunim dhe të dy personat duhet të mohojnë shumë nga dëshirat e tyre personale. Egoizimin duhet të zëvendësojë vetëflijimi. Një person mund ta bëjë këtë fare mirë për njëfarë kohe në martesë, por pastaj durimi humbet. Vetëflijimi nuk është i natyrshëm; egozimi po. Pse ndodh kështu?

Në qoftë se do të jetonim në një botë ku njerëzit të ishin të përsosur, atëherë martesat tona do të gumëzhinin nga harmonia e plotë, ashtu si donte Perëndia të funksiononte që nga fillimi. Por ne nuk jetojmë në një botë të përsosur. Me sinqeritet të plotë mund të thuhet se të gjithë ne jemi të ndikuar nga prirja jonë drejt egoizmit dhe “mëkatit”. Çfarë është mëkati? Shpesh zgjedhim të bëjmë gjërat e gabuara, jo gjërat e duhura. Ne mund të jemi egoistë, të ulët, lëndues, të hidhët, arrogantë, jo të gatshëm për të falur dhe kështu me radhë. Nuk është çudi që burrat dhe gratë e kanë të vështirë të shkojnë mirë me njëri-tjetrin.

Një qëndrim ‘dua të më plotësohen nevojat’ në marrëdhënie e pengon frymën e nevojshme të bashkëpunimit. Cikli negativ fillon dhe vazhdon derisa të humbasë intimiteti dhe martesa fillon të bëhet copë e çikë.

Le ta pranojmë, të gjithë kemi nevojë për ndihmë–një forcë të brendshme e cila na aftëson për ta dashur personin tjetër në mënyrën që duhet nëse duam t’i japim një mundësi martesës.

Sjellja jonë egoiste dhe mëkatare nuk ndan vetëm një burrë nga një grua, por gjithashtu na ndan nga Perëndia–burimi ynë më i madh i ndihmës. Si Autori dhe Projektuesi i martesës, Ai e di se si funksionojnë marrëdhëniet. Ai dëshiron që në radhë të parë të kemi një marrëdhënie me Të dhe, më pas, të kërkojmë për drejtimin e Tij.

Perëndia jo vetëm që na ndihmon me problemet dhe sfidat që ndeshim përditë, por Ai gjithashtu sjell shërim për plagët dhe lëndimet që kemi mbledhur nga e kaluara. Për shembull, Ai siguron falje dhe pastrim të plotë nga vendimet e gabuara që kemi marrë si adoleshentë në marrëdhënie me seksin e kundërt. Perëndia na do dhe dëshiron që ne t’i shijojmë të mirat e të qenit fëmijë të Tij, gjë që përfshin ndihmën e Tij në martesën tonë.

Do të doja ta ilustroja këtë me dy skenare që kanë të bëjmë me një burrë dhe grua tipike. Në shembullin e parë, çifti ynë (po i quaj Joni dhe Liza) nuk dallohen për përfshirje dinamike të Perëndisë në jetët e tyre. Në Skenarin B, Joni dhe Liza kanë më shumë se një marrëdhënie me njëri-tjetrin, ata kanë edhe një marrëdhënie me Jezu Krishtin.

Probleme të Mundshme Martesore–Skenari A:

Është mëngjesi i së shtunës dhe Joni dëshiron të luajë golf me miqtë e tij. Çohet nga krevati dhe i thotë Lizës se do të kthehet rreth orës 4 pasdite. Liza ankohet: “Ti më premtove se do të shkonim për piknik sot!”

“S’ta kam zënë me gojë ndonjëherë këtë gjë,” – thotë Joni, me nervozizëm. “Sidoqoftë, kam dy javë pa luajtur golf. Është një ditë e bukur. Nuk do të mbyllem këtu.” Joni del duke përplasur derën.

Liza ndihet e mospërfillur dhe pasi derdh ca lot, ajo sillet vërdallë nëpër apartament dhe hedh sa andej-këtej jastëkët e divanit.

“Ta tregoj unë ty, o i poshtër,” bërtet ajo. Ajo i telefon një shoqeje dhe lë një takim për të dalë për drekë dhe për të bërë pazar. Në supermarket blen rroba me vlerë 300 dollarë–kishte nevojë për një kostum të ri, por duke blerë disa gjëra tepër ajo e dinte se do ta inatoste Jonin. Karta e tyre e kreditit kishte arritur në fund.

Ndërkaq, Joni është duke mbaruar raundin e tij të golfit. Ai ndalet me miqtë e tij për një pije tek bari i klubit të golfit. Gota e parë shumë shpejt çon drejt të dytës. Joni vë re se sa tërheqëse është kamerierja. Ndërsa vajza po i ofron Jonit gotën e tretë, ai i pëshpërit disa lajka në vesh. Vajza bën sikur fyhet, por buzëqeshja e saj i tregon Jonit se ka fituar disa pikë. Herën tjetër që shkon tek Joni, ky i fundit vë re numrin e telefonit mbi kartëpecetë nën gotë. Joni e fut menjëherë letrën në xhep.

Joni mbërrin në shtëpi në orën 5 pasdite, me këmbët që i merren. Liza po shikon televizor me volumin të ngritur në qiell. Ai vë re një pirg me kuti mbi divan. Plot zemërim ai fik televizorin dhe i kërkon llogari për rrobat e blera. Liza e shan keq dhe largohet për tek dhoma e gjumit duke përplasur fort derën. Grindja vazhdon deri vonë. Joni përfundon duke fjetur në dhomën e miqve.

Prombleme të Mundshme Martesore–Skenari B:

Është mëngjesi i së shtunës dhe Joni dëshiron të luajë golf me miqtë e tij. Çohet nga krevati dhe i thotë Lizës se do të kthehet rreth orës 4 pasdite. Liza habitet dhe thotë: “Mendova se do të shkonim për piknik sonte!”

“Oh, a nuk mund ta lëmë për nesër?” – thotë Joni, me nervozizëm. “Sidoqoftë, kam dy javë pa luajtur golf. Është ditë e bukur. Ika.” Joni del duke përplasur derën.

Liza ndihet e mospërfillur dhe pasi derdh ca lot, ajo sillet vërdallë nëpër apartament dhe hedh sa andej-këtej jastëkët e divanit.

“I poshtër!” bërtet ajo, duke dëshiruar t’ia thoshte Jonit në sy se sa e mërzitur ndihej.

Liza vendos të dalë për një shëtitje, dhe me kalimin e kohës në park, lëndimi dhe zemërimi i saj ulen. Ndërsa po kthehej në shtëpi, ajo mundi të lutej: “I dashur Jezus, jam tepër e mërzitur me Jonin dhe mendoj se ai po tregohet eogist. Të lutem më ndihmo të mos jem egoiste dhe bëj që zemërimi të mos jetë në kontroll.”

Liza vendos t’i telefonojë një shoqeje dhe lë një takim për të ngrënë drekë herët dhe për pazar. Ndërsa është në supermarket, Liza blen një kostum të ri.

Ndërkaq, Joni po mbaronte pjesën e parë të lojës së tij të golfit. Ai dhe miqtë e tij ndalojnë për një sanduiç dhe pije në barin e klubit të golfit. Joni e vë re se sa e bukur është vajza e banakut, por thjesht i buzëqesh dhe shkon pranë shokëve. Në mëngjes Joni kishte menduar se Liza ishte treguar grindavece dhe e ngjitur pas tij–duke dashur ta pengonte me pa të drejtë nga një kohë e mirë me miqtë e tij. Tani Joni ndihet fajtor për mënyrën se si e trajtoi atë. Nuk po kënaqet fare.

“Hej djema,” thërret Joni, – “Po e lë me kaq për sot dhe po shkoj në shtëpi. Më duhet të kaloj pak kohë me Lizën.” Dy nga shokët e ngacmuan, por Joni e kishte ndarë mendjen.

Kur Liza kthehet në shtëpi në orën 1 pasdite, ajo habitet kur shikon Jonin të ulur në kuzhinë. Ajo vë re se është nxjerrë shporta e piknikut dhe është gjysmë e mbushur me ushqime dhe pije.

“Pse je kthyer kaq herët?” e pyet, ende e lënduar nga mënyra se si i foli.

“Më vjen keq për mënyrën se si u solla sot,” thotë Joni. “Doja të luaja golf dhe nuk desha t’ia di për nevojat e tua. Më duket se u tregova egoist. A do më falësh?”

Liza kafshon buzën. Ajo është ende e lënduar, por duket që vërtet Joni po ndjen keqardhje. Duket e pabesueshme që e la lojën e golfit më herët. “Po, të fal”, i thotë Liza me qetësi.

Ndërsa përqafohen, Joni thotë: “A mund t’ia nisim nga e para për sot? Erdha herët me mendimin se ende ka kohë për piknikun? A dëshiron të shkosh?”

Liza i reziston tundimit për t’u hakmarrë ndaj Jonit. Në të kundërt, i buzëqesh dhe pohon me kokë.

Dita ndryshon krejt drejtim për të dy, Jonin dhe Lizën. Zemërimi është larguar nga të dy. Marrëdhënia e tyre ndihet po aq e freskët sa toka pas një shiu pranveror. Jezusi ka qenë duke vepruar në jetët e të dyve, së pari duke iu treguar se si të jetojnë dhe më pas duke u dhënë forcë për të mohuar veten dhe për të falur–dy veprime thelbësore për dashurinë, por shumë të vështira për t’u bërë vazhdimisht dhe me gjithë zemër pa asnjë ndihmë.

Sigurisht, këto dy skenare japin thjesht një pikëpamje sipërfaqësore të një situate ndërpersonale të komplikuar, por më tepër ato ilustrojnë përse përfshirja e Perëndisë individualisht në jetën e burrit dhe të gruas dhe në martesën e tyre sjell një ndryshim të tillë. Besimi i krishterë nuk është thjesht një koleksion parimesh dhe rregullash–është një bashkëveprim i gjallë, çast pas çasti me Perëndinë, gjë përmes të cilës marrim drejtim dhe fuqi për ta jetuar jetën sipas mënyrës që u projektua për t’u jetuar.

T’i shmangesh pjesëmarrjes në statistikat e divorcit–dëgjo Fjalën e Perëndisë

Perëndia shprehet shumë qartë në Bibël për shkatërrimin që sjell divorci, për nevojën për t’i konsideruar me përulësi nevojat e personit tjetër mbi tonat, për të qenë të vërtetë me njëri-tjetrin, për shmangien e imoralitetit seksual, dhe shumë më tepër. Por ne jo patjetër duam ta bëjmë atë që na thuhet. Udhëzimi i Tij është shpesh ndryshe nga ajo që mendojmë se do të ishte më mirë (për shembull, t’i tregojmë bashkëshortit/es të vërtetën në një kohë kur mendojmë se një gënjeshtër do të ishte më e dobishme). Por, në mënyrë të vazhdueshme, çiftet e kanë zbuluar se sa i mençur është Perëndia dhe sa e urtë është t’u besosh dhe t’i ndjekësh udhëzimet e tij për ndërtimin e marrëdhënieve.

Për shembull, Perëndia ende thotë se martesa duhet të vijë para intimitetit seksual. Megjithatë në kulturën tonë 64% e studentëve të anketuar ranë dakord me deklaratën–“Të jetuarit së bashku si çift para martesës është ide e mirë.”5 Shumë nga këta studentë kishin parë rrënimin e martesës së prindërve të tyre dhe kishin arritur në përfundimin se “ta provosh paraprakisht” marrëdhënien duket si ide e mirë.

Perëndia nuk dëshiron të jetë thjesht një këshilltar martese, duke dhënë këshilla për jetët tona. Ai dëshiron që ne ta njohim Atë.

Pra, pse e vendos Perëndia martesën para përfshirjes seksuale? Sepse Ai dëshiron që të përjetojmë intimitet të qëndrueshëm e përmbushës. Si mund të ndihen dy njerëz aq të sigurt sa të jenë krejt të hapur me njëri-tjetrin–që është diçka e domosdoshme për të pasur intimitet të thellë–në një mjedis ku secili person mund të të lërë shëndenë në çdo moment? Statistikat tregojnë se shkalla e divorcit është në fakt më e lartë mes atyre që kanë bashkëjetuar para se të martoheshin.6 Urtësia e Perëndisë është e pagabueshme, është gjithnjë e drejtë dhe gjithmonë drejtimi i Perëndisë vjen nga dashuria e tij për ne.

Por Perëndia nuk dëshiron të jetë thjesht një këshilltar martese, duke dhënë këshilla për jetët tona. Ai dëshiron që ne ta njohim Atë, të jemi në një marrëdhënie me Të dhe t’i besojmë Atij. Ai thotë se, për të dashur me besnikëri dikë tjetër, në radhë të parë duhet të përjetojmë dashurinë e Tij të pakushtëzuar e besnike ndaj nesh.

I shtyrë nga dashuria e Tij për ne, Perëndia bëri diçka madhështore për hirin tonë. Kemi folur se si egoizimi ynë na ndan nga njëri-tjetri, dhe sidomos na ndan nga Perëndia i cili është i shenjtë dhe i përsosur. Bibla thotë: “Mëkati juaj ka krijuar një ndarje midis jush dhe Perëndisë suaj.”7 Asnjë sasi veprash të mira apo përpjekjesh nga ana jonë nuk mund ta fshijë mëkatin tonë nga sytë e Perëndisë. Më keq akoma, ka një ndëshkim për mëkatin tonë…vdekje. Do të thotë ndarje e përjetshme nga Perëndia, edhe pas jetës sonë në tokë. Ne nuk mund të bëjmë asgjë për ta rregulluar këtë. Standardet e Tij kërkojnë përsosmëri dhe ne nuk i arrijmë dot. Megjithatë, drejtësia e Perëndisë është e shoqëruar nga dashuria e tij e madhe për ne–që tregohet nga zgjidhja që siguroi Ai.

Jezu Krishti, i cili është Perëndia në formë njerëzore, erdhi të paguajë dënimin e vdekjes për mëkatet tona. Jezusi erdhi gjithashtu për të na mësuar rrugët e Perëndisë dhe për të na dhënë një jetë kuptimplotë. Por, Ai tha se qëllimi i Tij kryesor për ardhjen si njeri ishte të vdiste në vendin tonë. Ai pagoi plotësisht për të gjitha mëkatet tona–mëkatet e mia, të tuat, të tërë botës–kur u var në kryq (një formë romake e ekzekutimit), në mënyrë që ne të kishim falje. Pasi ndenji në varr tri ditë, Jezusi u kthye fizikisht në jetë. Shumë dëshmitarë vazhduan t’i tregonin botës për Të dhe për jetën që na ofron Perëndia.

Për të kapërcyer problemet martesore–së pari, filloni një marrëdhënie me Perëndinë

Nuk na takon neve të punojmë për t’u bërë të pranuar nga Perëndia. Ai na ofron një marrëdhënie me Të si dhuratë. Është në dorën tonë nëse do ta pranojmë faljen e Tij dhe do të fillojmë një marrëdhënie me Të. Jezusi tha, “Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.”8 Ai dëshiron të vijë në jetët tona, por, përsëri, ky është një vendim individual që duhet ta marrim ne. Nëse martesa është një vendim i madh, ky është edhe më shumë. A do të kesh një marrëdhënie të përjetshme me Perëndinë dhe ta lejosh Atë të ndikojë jetën tënde? A dëshiron të udhëhiqesh nga urtësia e Tij dhe të mbahesh tek forca e Tij?

Nëse dëshiron, mund ta ftosh Atë që tani. Ashtu si një çift nuk është i martuar derisa ata të thonë publikisht “Po”, ashtu edhe marrëdhënia me Perëndinë është një akt i vetëdijshëm i vullnetit. Jezusi tha, “Ja, unë qëndroj tek dera dhe trokas. Nëse dikush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, unë do të hyj tek ai.”9 Bibla thotë, “Por atyre që e pranuan, Ai u dha pushtetin të bëhen fëmijë të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e Tij.”10

A do të donit ta njihnit dashurinë e Perëndisë për ju dhe ta ftonit Atë në jetën tuaj? Kjo mund të jetë një mënyrë si mund ta shprehni këtë: “Zot Jezus, dua të jesh në jetën time. Dua të më drejtosh dhe të më falësh. Falemnderit që pagove për mëkatet e mia në kryq. Të lutem hyr në jetën time. Falemnderit për premtimin tënd që do të vijsh në jetën time nëse unë e hap derën. Unë po e hap tani. Falemnderit që tani mund të filloj të të njoh vërtet.”

Nëse je lutur me sinqeritet kështu, ti ke filluar një marrëdhënie me Perëndinë. Çfarë efekti do të ketë kjo mbi problemet e tua martesore? Ti tani ke mundësi të kesh një martesë plot dashuri. Si të gjithë bashkëshortët, ti do të bësh shumë gabime, dhe disa herë do të të duhen shumë përpjekje për të patur një martesë të mirë. Por, duke u mbështetur tek Perëndia do të gjesh forcën dhe vizionin e duhur për ta dashur bashkëshortin tënd me një dashuri joegoiste, falëse dhe do të përjetosh një martesë të qëndrueshme.

 Sapo e ftova Jezusin në jetën time (këtu do të gjeni informacion të dobishëm)...
 Mbase dëshiroj ta ftoj Jezusin në jetën time, ju lutem ma shpjegoni këtë më qartë...
 Kam një pyetje...

DENIS REINI është drejtor i Jetë Familjare, një degë e Institutit “Jeta e Re”. Ai është gjithashtu autori dhe drejtuesi i programit radiofonik “Jetë Familjare Sot”. Ai dhe gruaja e tij, Barbara, kanë gjashtë fëmijë.

Refenca: (1) Kendall Hamilton dhe Pat Wingert, “Down the Aisle,” Newsweek, 20 Korrik 1998, fq. 54. (2) John J. DiIulio, Jr., “Deadly Divorce,” National Review, 7 Prill 97. (3) “Generation 2001: A Survey of the First College Graduating Class of the New Millennium,” e drejtuar më 1997-1998 nga Louis Harris dhe Associates for Northwestern Mutual Life Insurance Company, 720 E. Wisconsin Ave., Milwaukee, WI 53202, pp. 8, 11. (4) DiIulio, Jr., “Deadly Divorce.” (5) Generation 2001: A Survey, p. 11. (6) Shervert H. Frazier, Psychotrends (New York: Simon & Schuster, 1994), fq. 106 (7) Isaia 59:2 (8) Gjoni 14:6 (9) Zbulesa 3:20 (10) Gjoni 1:12

TREGOJUA MIQVE:
WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More