nga Marilyn Adamson
Në çfarë mase mund të mbështetemi tek Perëndia që të na ndihmojë ne? A është Ai dikush të cilit mund t’i zëmë besë… në kohë krize dhe në kohë qetësie?
Perëndia është Krijuesi i universit, i cili ka mall që ne ta njohim Atë. Kjo është arsyeja përse ne të gjithë jemi këtu. Është dëshira e Tij që ne të mbështetemi dhe të përjetojmë forcën, dashurinë, drejtësinë, shenjtërinë dhe dhembshurinë e Tij. Prandaj Ai iu thotë të gjithë atyre që kanë dëshirë, “Ejani tek Unë.”
Ndryshe nga ne, Perëndia e di se çfarë do të ndodhë nesër, javën tjetër, vitin tjetër, dekadën tjetër. Ai thotë, “Unë jam Zoti, dhe nuk ka tjetër si Unë, që shpall fundin që nga fillimi.”1 Ai e di se çfarë do të ndodhë në botë. Më e rëndësishmja, Ai e di se çfarë do të ndodhë në jetën tënde dhe mund të jetë aty për ty, në qoftë se ti zgjedh ta përfshish Atë në jetën tënde. Ai na thotë se mund të jetë “një strehë dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.”2 Por ne duhet të bëjmë një përpjekje të sinqertë për ta kërkuar Atë. Ai thotë: “Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, kur të më kërkoni me gjithë zemër.”3
Kjo nuk do të thotë që ata që e njohin Perëndinë do të shpëtojnë nga kohërat e vështira. Nuk ndodh kështu. Kur luftëra dhe sëmundje të tmerrshme shkaktojnë vuajtje dhe vdekje, ata që e njohin Perëndinë do të përfshihen në atë vuajtje gjithashtu. Por ka një paqe dhe një forcë që jep prania e Perëndisë. Një ndjekës i Jezus Krishtit tha këtë: “Ne kemi presion nga çdo anë, por nuk thyhemi; të hutuar, por jo të dëshpëruar; të persekutuar, por jo të braktisur; të goditur, por jo të shkatërruar.”4 Realiteti na thotë se ne do të përjetojmë probleme në jetë. Sidoqoftë, nëse ne kalojmë përmes tyre duke njohur Perëndinë, ne mund të reagojmë ndaj tyre me një perspektivë ndryshe dhe forcë, që nuk vjen nga ne. Asnjë problem nuk ka aftësinë që të jetë i pakapërcyeshëm për Perëndinë. Ai është më i madh se të gjitha problemet që mund të na ndodhin ne, dhe ne nuk jemi të lënë vetëm për t’u përballur me to.
Fjala e Perëndisë na thotë: “Zoti është i mirë, është një fortesë në ditën e fatkeqësisë; ai i njeh ata që kërkojnë strehë tek ai.”5 dhe “Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë. Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton.”6
Jezus Krishti iu tha ndjekësve të Tij këto fjalë ngushëlluese: “A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe, megjithatë asnjë prej tyre nuk bie për tokë pa dashjen e Atit tuaj. Sa për ju, madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara. Mos kini frikë, pra; ju vleni më tepër se shumë harabela.”7 Nëse ju vërtet ktheheni tek Perëndia, Ai do të kujdeset për ju si askush tjetër në këtë botë.
Perëndia e ka krijuar njerëzimin me aftësinë për të zgjedhur. Kjo do të thotë që ne nuk jemi të detyruar për të qenë në një marrëdhënie me Të. Ai na lejon që ne ta mohojmë Atë dhe të kryejmë vepra të këqija gjithashtu. Ai mund të na detyronte që të ishim të dashur. Mund të na detyronte që të ishim të mirë. Por, çfarë lloj marrëdhënie do të kishim me të? Nuk do të quhej fare marrëdhënie, por një bindje e detyruar dhe tërësisht e kontrolluar. Në dallim nga kjo, Ai na dha dinjitetin njerëzor të vullnetit të lirë.
Në mënyrë të natyrshme, ne thërrasim nga thellësia e shpirtit… “Oh Zot, si mund të lejosh që diçka kaq të tmerrshme të ndodhë?”
Si do të donim që Perëndia të vepronte? A duam që Ai të kontrollojë veprimet e njerëzve? Nëse flasim për një sulm terrorist, cili do të ishte një numër i pranueshëm vdekjesh që Perëndia të lejonte?! A do të ndiheshim më mirë nëse Perëndia lejon vetëm vrasjen e qindra njerëzve? A do të ishte më mirë që Perëndia të lejonte vdekjen e vetëm një personi? Por, edhe nëse Perëndia do të ndalonte qoftë vrasjen e një njeriu të vetëm, atëherë nuk ka më liri zgjedhjeje. Njerëzit zgjedhin që ta injorojnë Perëndinë, të sfidojnë Atë, të zgjedhin rrugën e tyre dhe të bëjnë vepra të tmerrshme kundër njëri-tjetrit.
Ky planet nuk është një vend i sigurtë. Dikush mund të na qëllojë me armë. Ose mund të na përplasin me makinë. Ose mund të na duhet të hidhemi nga një ndërtesë e sulmuar nga terroristët. Ose një mori gjërash mund të na ndodhin në këtë mjedis të rrezikshëm, të quajtur Tokë, vendi ku vullneti i Perëndisë nuk ndiqet gjithmonë. Pavarësisht, Perëndia nuk varet nga mëshira e njerëzve, por anasjelltas. Ne jemi nën mëshirën e Tij, fatmirësisht. Ky është Perëndia, që krijoi universin me yjet e panumërt, vetëm duke folur fjalët: "Të ketë ndriçues në kupën qiellore."8 Ky është Perëndia që thotë se Ai: "mbretëron mbi kombet."9 Ai është i pa kufizuar në fuqi dhe urtësi. Edhe pse problemet duken të pa kapërcyeshme, ne kemi një Perëndi jashtëzakonisht të aftë, i cili na kujton: "Ja, unë jam Zoti, Perëndia i çdo mishi; a ka vallë ndonjë gjë tepër të vështirë për mua?".10 Në njëfarë mënyre, Ai është i aftë të mbajë lirinë e njerëzve mëkatarë, dhe në të njëjtën kohë të zbatojë vullnetin e Tij. Perëndia thotë qartësisht: "Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen"11 Nga kjo mund të marrim ngushëllim se nëqoftëse jetët tona janë të nënshtruar Atij, Ai: "u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve."12
Shumë prej nesh, jo, të gjithë ne, ndonjëherë zgjedhim të ngurtësohemi ndaj Perëndisë dhe rrugëve të Tij. Krahasuar me të tjerët, sigurisht krahasuar me një terrorist apo gangster, ne mund ta konsiderojmë veten si njerëz të respektueshëm dhe të dashur. Por, në sinqeritetin e zemrave tona, nëse do të përballeshim me Perëndinë, do të viheshim në dijeni të mëkatit tonë. Ndërsa fillojmë t’i drejtohemi Perëndisë në lutje, a nuk kemi ngecur, të ndalur prej një ndjenje se Perëndia është në dijeni të mendimeve, veprimeve dhe fokusimit tonë tek vetja? Përmes jetëve dhe veprimeve tona, ne e kemi distancuar veten nga Perëndia. Ne kemi jetuar shpesh sikur mund ta bënim jetën tonë shumë mirë pa Të. Bibla thotë: "Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet."13
Pasojat? Mëkati ynë na ka ndarë nga Perëndia, dhe ndikon më shumë se sa vetëm këtë jetë. Dënimi për mëkatin tonë është vdekja, ose ndarje e përjetshme nga Perëndia. Megjithatë, Perëndia ka siguruar një rrugë që ne të falemi dhe ta njohim Atë.
Perëndia erdhi në tokë për të na shpëtuar. "Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij."14
Perëndia e njeh dhimbjen dhe vuajtjen që ne përjetojmë në këtë botë. Jezusi la sigurinë e shtëpisë së Tij, dhe hyri në mjedisin e vështirë në të cilin jetojmë. Jezusi u lodh, pati uri dhe etje, u përball me akuzimet e të tjerëve, dhe u përjashtua nga familja dhe miqtë e Tij. Por, Jeziusi përjetoi më shumë se vështirësitë ditore. Jezusi, Biri i Perëndisë në formë njeriu, mori me dëshirë të gjithë mëkatin tonë mbi veten e Tij, dhe pagoi dënimin tonë të vdekjes. "Nga kjo e kemi njohur dashurinë: ai e dha jetën e vet për ne;"15 Ai përjetoi torturën, një vdekje të ngadalshme dhe poshtëruese në kryq, që ne të mund të faleshim.
Jezusi u tregoi miqve të Tij, se Ai do të kryqëzohej. Ai tha se pas tre ditësh nga vdekja, do të kthehej në jetë, duke vërtetuar se Ai ishte Zot. Ai nuk tha se do të rimishërohej dikur. Ai tha se pas tre ditësh që do të ishte në varr, Ai do t’iu shfaqej fizikisht atyre që panë kryqëzimin e Tij. Në ditën e tretë, varri i Jezusit ishte bosh dhe shumë njerëz dëshmuan që e panë Atë të gjallë.
Ai tani na ofron jetë të përjetshme. Ne nuk e meritojmë këtë. Është një dhuratë nga Perëndia, që na jepet, të cilën ne e marrim kur e ftojmë Atë në jetën tonë. "Por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë."16 Nëse pendohemi për mëkatet tona dhe kthehemi tek Perëndia, ne mund të marrim dhuratën e jetës së përjetshme përmes Jezus Krishtit. Është shumë e thjeshtë: "Perëndia na dha jetën e përjetshme dhe kjo jetë është në Birin e tij. Ai që ka Birin, ka jetën; ai që nuk ka Birin e Perëndisë, nuk ka jetën."17 Ai do që të vijë në jetën tonë.
Po parajsa? Bibla thotë se Perëndia ka: "vendosur përjetësinë në zemrat e njerëzve."18 Ndoshta kjo do të thotë se ne e dimë, në zemrat tona, se si do të dukej një botë më e mirë. Vdekja e njerëzve që duam na bind se ka diçka shumë të gabuar me këtë jetë dhe me këtë botë. Diku thellë në shpirtin tonë, ne e dimë se duhet të ketë një vend shumë më të mirë për të jetuar, pa vështirësi dhe dhimbje që të mundojnë zemrën. Për të qenë të sigurt, Perëndia ka një vend më të mirë që Ai na ofron. Do të jetë një sistem vlerash krejtësisht i ndryshëm nga ky tokësor, në të cilin vullneti i Tij kryhet gjatë gjithë kohës. Në atë botë, Zoti do të fshijë çdo lot nga sytë e njerëzve. Nuk do të ketë më vajtim, të qara, vdekje apo dhimbje.19 Perëndia, me anë të Frymës së Tij, do të banojë tek njerëzit në mënyrë të tillë që ata të mos mëkatojnë më.20
Ngjarjet e një krize të papritur ose sulmi terrorist janë mjaft të tmerrshme. Refuzimi i një marrëdhënieje të përjetshme me Perëndinë, që ju ofron Jezusi, do të ishte akoma më keq. Jo vetëm në dritën e jetës së përjetshme, por nuk ka asnjë marrëdhënie që të krahasohet me njohjen e Perëndisë edhe në këtë jetë. Ai është qëllimi ynë në jetë, burimi ynë i ngushëllimit, mençuria jonë në kohë të ngatërruara keq, forca dhe shpresa jonë. “Provojeni dhe shikoni që Zoti është i mirë; lum njeriu që gjen strehë tek ai."21
Është thënë nga disa se Zoti është thjesht një patericë. Por ka të ngjarë që Ai të jetë i vetmi i besueshëm.
Jezusi tha: "Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time, po jua jap jo siç e jep bota; zemrat tuaja të mos shqetësohen, as të kenë frikë…"22 Për ata që do të mbështeten te Jezusi gjatë jetës së tyre, Ai thotë se është si të ndërtosh jetën tënde mbi një Shkëmb. Çfarëdo krize që ju sulmon në këtë jetë, Ai mund t'ju mbajë të fortë.
Ju mund ta pranoni Jezusin në jetën tuaj tani. “Të gjithë atyre që e pranuan, atyre që besuan në emrin e Tij, Ai u dha të drejtën të bëhen fëmijë të Perëndisë.”23 Është nëpërmjet Jezu Krishtit që ne mund të kthehemi te Perëndia. Jezusi tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati, veçse nëpërmjet meje"24 Jezusi ofroi: "Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, unë do të hyj tek ai."25
Tani në këtë moment ju mund t'i kërkoni Zotit të hyjë në jetën tuaj. Ju mund ta bëni këtë përmes lutjes. Lutja do të thotë të flasësh sinqerisht me Perëndinë. Në këtë moment ju mund t'i thërrisni Perëndisë duke i thënë Atij diçka të tillë me sinqeritet:
"Zot, unë e kam larguar nga Ti në zemrën time, por dua ta ndryshoj këtë, unë dua të të njoh. Dua të pranoj Jezu Krishtin dhe faljen e Tij në jetën time. Nuk dua të ndahem më nga ti. Bëhu Zoti i jetës sime që nga kjo ditë e tutje. Faleminderit Zot."
A kërkuat tani sinqerisht Zotin në jetën tuaj? Nëse po, keni shumë për të zbuluar. Perëndia premton që, duke e njohur Atë ta bëjë jetën tuaj të tanishme më kuptimplotë.26
Ku është Perëndia? Ai premton të bëjë shtëpinë e Tij në ju.27 Dhe Ai ju jep jetën e përjetshme.28 Pavarësisht se çfarë ndodh në botën përreth jush, Zoti është aty për ju. Megjithëse njerëzit nuk ndjekin rrugët e Perëndisë, Perëndia është në gjendje të përballojë rrethanat e tmerrshme dhe të realizojë planin e Tij gjithsesi. Zoti është në fund të fundit në kontroll mbi ngjarjet botërore. Nëse jeni të Perëndisë, atëherë mund të mbështeteni në premtimin se: "Të gjitha gjërat punojnë së bashku për të mirën e atyre që e duan Perëndinë dhe janë thirrur sipas qëllimit të Tij."29
Jezu Krishti tha: "Unë po ju jap paqen time; po jua jap jo siç e jep bota. Zemra juaj mos u trondittë. Në botë keni mundime, por merrni guxim; unë e munda botën."30 Ai premton se kurrë nuk do të na lërë ose nuk do të na braktisë.31
► | Sapo e ftova Jezusin në jetën time (këtu do të gjeni informacion të dobishëm)... |
► | Mbase dëshiroj ta ftoj Jezusin në jetën time, ju lutem ma shpjegoni këtë më qartë... |
► | Kam një pyetje... |
Refenca: (1) Isaia 46:9 (2) Psalmi 46:1 (3) Jeremia 29:13 (4) 2 Korintasve 4:8-9 (5) Nahumi 1:7 (6) Psalmi 145:18-19 (7) Mateu 10:29-31 (8) Zanafilla 1:14 (9) Psalmi 47:8 (10) Jeremia 32:27 (11) Isaia 46:10 (12) Jakobi 4:6 (13) Isaia 53:6 (14) Gjoni 3:16-17 (15) 1 Gjoni 3:16 (16) Romakët 6:23 (17) 1 Gjoni 5:11-12 (18) Predikuesi 3:11 (19) Zbulesa 21:4 (20) Zbulesa 21:27 (21) Psalmi 34:8 (22) Gjoni 14:27 (23) Gjoni 1:12 (24) Gjoni 14:6 (25) Zbulesa 3:20 (26) Gjoni 10:10 (27) Gjoni 14:23 (28) 1 Gjoni 5:11-13 (29) Romakëve 8:28 (30) Gjoni 14:27 dhe 16:33 (31) Hebrenjve 13:5