Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë
Pyetje në lidhje me jetën dhe Perëndinë

Zanafilla e Universit

Si arriti deri këtu universi? Shkencëtarët konfirmojnë Teorinë e Big Bengut dhe fillimin e universit.

WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More PDF

Shkencëtarët besojnë se universi ynë filloi me një shpërthim të jashtëzakonshëm energjie dhe drite, të cilin ne tani e quajmë Big Beng. Ky ishte fillimi i paparë ndonjëherë i gjithçkaje që ekziston. Zanafilla e universit, fillimi i hapësirës madje edhe fillimi i vetë kohës.

Pikërisht para atij momenti nuk ekzistonte asgjë nga ato të cilat ne i vëzhgojmë sot.

Për më tepër, ishte diçka jashtë kohës, jashtë hapësirës dhe jashtë materies ajo që shkaktoi të gjithë këtë që të vinte në ekzistencë.

Ndërgjegjësimi se universi pati një fillim dhe se ai nuk ka ekzistuar gjithmonë, sjell sfida të jashtëzakonshme për shkencëtarët ateistë.

A janë të sigurt shkencëtarët për këtë teori të Big Bengut? Po. Në fundin e viteve 1920, astronomi Edvin Habëll pa me teleskop se galaktikat (që ishin disa miliona vite dritë larg) po largoheshin nga njëra-tjetra me shpejtësi fantastike. Kjo nuk ishte shkaktuar nga ndonjë forcë që po i shtynte ato larg njëra-tjetrës. Në të vërtetë, ato po vazhdonin që të lëviznin si pasojë e një shpërthimi të lashtë, të gjitha nga një pikë origjine.

Në këtë pikë të origjinës, e gjithë masa në univers ishte e ngjeshur në një pikë të vetme densiteti të pakufishëm… më të vogël sesa një atom i vetëm2. Më pas, në një shpërthim kozmik, që është Big Bengu – universi erdhi në ekzistencë. Stiven Uainberg, laureat i çmimit Nobel në fizikë, jep shpjegimin e mëposhtëm: “Në rreth një të njëqindtën e sekondës, në kohën më të hershme për të cilën mund të flasim me njëfarë sigurie, temperatura e universit ishte afro njëqind mijë milion (1011) gradë Celsius. Kjo është shumë më e nxehtë sesa qendra edhe e yllit me temperaturë më të lartë, në fakt kaq nxehtë saqë asnjë nga përbërësit e materies së zakonshme, molekulat ose atomet dhe madje as bërthamat e atomeve nuk mund të qëndronin bashkë”3. Ai vazhdon: “Universi ishte i mbushur me dritë”.

Çuditërisht, kjo shkon paralelisht me atë që është shkruar: “Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën… pastaj Perëndia tha: “U bëftë drita!”. Dhe drita u bë”4. Erdhi jo nga materia, por nga deklarimi. Nga një fjalë e folur. “U bëftë drita!”.

Duke parë tekstet e shenjta të të gjitha feve kryesore, vetëm Bibla përshkruan atë që shkencëtarët kanë zbuluar deri tani: që kishte një shpërthim drite dhe një fillim për universin tonë… nga jashtë vetë universit. Me të erdhi edhe fillimi i hapësirës, materies dhe kohës. Ishte një pikë fillimi e veçantë për gjithçka. Shumë herë në Librin e Zanafillës është përshkrimi: “Pastaj Perëndia tha….” i ndjekur nga shprehja “…dhe kështu u bë..”

Nga ana tjetër, a mundet që universi ynë të ketë ardhur në ekzistencë nëpërmjet ligjeve të fizikës: si për shembull, graviteti, elektromagnetizmi, shpejtësia e dritës, etj.? Jo, sepse këto gjëra nuk ekzistonin ende. Fillimi parësor i vetë universit prodhoi ligjet e fizikës dhe çdo gjë filloi pa to.

Zanafilla e Universit – Një Fillim i Veçantë

Astrofizikani Robert Xhestrou, i cili e quan veten agnostik, ka thënë: “Fara e çdo gjëje që ka ndodhur në univers u mboll në çastin e parë; çdo yll, çdo planet dhe çdo krijesë e gjallë në Univers erdhi në ekzistencë si pasojë e ngjarjeve që u vunë në lëvizje në momentin e shpërthimit kozmik. Ishte në kuptimin e parë të fjalës momenti i Krijimit… Universi u shfaq papritur në ekzistencë dhe ne nuk mund ta zbulojmë dot se çfarë e shkaktoi këtë gjë”5. Siç e thamë, ky përfundim është shqetësues për shkencëtarët ateistë. Të vëzhgosh një reaksion dhe të mos jesh në gjendje që të dokumentosh shkakun e tij të bën të mos ndihesh i qetë.

Xhestrou përfundon: “Për atë shkencëtar që ka jetuar duke e mbështetur besimin e tij në fuqinë e arsyes, historia përfundon si një ëndërr e keqe. Ai i është ngjitur malit të padijes; është gati që të arrijë majën më të lartë; dhe kur hipën mbi shkëmbin e fundit, përshëndetet nga një grup teologësh që kanë qenë të ulur atje për shekuj me radhë”6.

Imagjinoni çlirimin e këtyre shkencëtarëve kur astronomët Herman Bondi, Tomas Gold dhe Fred Hojl nxorën teorinë e quajtur si universi “i qëndrueshëm” në vitin 1948. Teoria e tyre ishte se universi ishte infinit për sa i përket moshës. Kështu që nuk nevojitej ndonjë krijim ose ndonjë shkak.

Zanafilla e Universit – Teoria “E Qëndrueshmërisë” Vërtetohet se Është e Gabuar

Megjithatë, në vitet 1960, teoria “e qëndrueshmërisë” pësoi një goditje shkatërrimtare kur dy inxhinierë që merreshin me rrezatimet në Laboratorët Bell (Arno Penzias dhe Robert Uillson) zbuluan një rrezatim që vinte nga hapësira. Ai vinte në mënyrë të barabartë nga të gjitha drejtimet. Kur u mat temperatura e këtij rrezatimi, u konfirmua edhe burimi i tij. Ky rrezatim nuk kishte ekzistuar përherë dhe as nuk vinte nga një pjesë e universit. Ai vinte nga ai momenti i jashtëzakonshëm dhe origjinal i krijimit.

Më vonë, në vitin 1996, sateliti i NASA-s, Eksploruesi i Sfondit Kozmik (COBE) e rikonfirmoi se ky rrezatim parësor tregonte se kishte pasur një fillim shpërthyes të universit. Gjithashtu këtë gjë e konfirmojnë edhe nivelet e hidrogjenit, litiumit, deuteriumit dhe të heliumit që ekzistojnë sot në universin tonë.

A ka shkencëtarë që prapëseprapë duan t’i kundërshtojnë rrjedhojat e teorisë së Big Bengut? Po. Ka shkencëtarë të cilët nuk ndihet rehat duke jetuar me: (1) një shkak të panjohur ose me (2) përfundimin se shkaku është Perëndia. Kështu që ata zgjedhin një mundësi të tretë.

Përpjekje të Tjera për të Shpjeguar Fillimin e Universit

Çfarë shpjegimesh japin këta shkencëtarë për fillimin e të gjithë universit tonë, energjisë, kohës dhe hapësirës?

Ata mundohen që thjesht të mohojnë premisën themelore mbi të cilën mbështetet shkenca: se çdo gjë që fillon të ekzistojë duhet ta ketë një shkak.

Fizikani Viktor Stenger thotë se universi mund të jetë “i pashkaktuar” dhe se mund të ketë “dalë nga hiçi”7. Filozofi Bertrand Rasëll e përvetësoi këtë pozicion në një debat për ekzistencën e Perëndisë. Ai tha: “Universi thjesht është këtu dhe kjo është e gjitha”8.

Të thuash se diçka është e përjetshme dhe si pasojë, nuk nevojitet asnjë “shkak” është një gjë. Por është krejtësisht diçka tjetër që të vëzhgosh në mënyrë shkencore fillimin e diçkaje, fillimin në një çast të diçkaje, dhe më pas të mundohesh të thuash se ajo nuk kishte shkak.

Madje edhe Dejvid Hjum, një nga më skeptikët e të gjithë filozofëve, e shihte këtë pozicion si qesharak. Pavarësisht gjithë skepticizmit të tij, Hjumi nuk e mohoi kurrë shkakësinë (lidhjen objektive, të domosdoshme ndërmjet shkakut dhe pasojës – shënim i redaktorit). Në vitin 1754, Hjumi shkroi: “Asnjëherë nuk e kam miratuar sugjerimin absurd se ndonjë gjë mund të shfaqet pa pasur një shkak”9.

Zanafilla e Universit – Shkenca e Konfirmon

Zbulimet e pastra shkencore në mënyrë të vazhdueshme të çojnë tek një konkluzion i vetëm: universi pati një fillim të veçantë, një shpërthim, në të cilin të gjitha ato që ne njohim – universi, koha, hapësira, ligjet fizike që ne vëzhgojmë – të gjitha këto gjëra filluan. Në qoftë se ke dashur ndonjëherë të besosh tek Perëndia, por nuk ke dashur ta bësh këtë gjë sepse ke menduar se kjo është në kundërshtim me faktet e njohura shkencore, shkenca ju jep arsye për të besuar se Perëndia ekziston dhe se me fuqi Ai i krijoi të gjitha gjërat.

Është logjike që të arrijmë në përfundimin se Perëndia e cili është që nga fillimi, i përjetshëm dhe jashtë kohës, e krijoi kohën. Perëndia që është frymëror, jo-fizik dhe jashtë materies është burimi i universit tonë dhe i gjithçkaje që ekziston. Ky është mesazhi që përsëritet qartësisht në të gjithë Biblën.

“Ngrini sytë tuaja përpjetë dhe shikoni: Kush i krijoi këto gjëra? Nuk e di ti, vallë, nuk e ke dëgjuar? Perëndia i përjetësisë, Zoti, krijuesi i kufijve të tokës”10.

“…sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan”11.

Bibla thotë se Perëndia e formoi tokën që të banohej, duke na pasur neve në mendje që në fillim. Ai iu dha njerëzve frymën e jetës dhe një qëndrim të shkurtër mbi tokë me qëllimin e plotë që ne ta kërkonim dhe ta gjenim Atë. Në qoftë se ne nuk arrijmë ta njohim Atë, e kemi humbur të gjithë qëllimin e ekzistencës sonë. Kush e di më mirë sesa Perëndia arsyen për qenien tonë?

A doni ta njihni Autorin e universit? Ja se çfarë premton Ai: “Afrohuni te Perëndia dhe ai do t`ju afrohet juve”12. Në qoftë se ne do të kërkojmë që ta njohim Atë, Perëndia thotë: “Unë do të bëj që ju të më gjeni”13. Në fakt, Ai thotë: “I dituri të mos lavdërohet me diturinë e tij, njeriu i fortë të mos lavdërohet me forcën e tij, i pasuri të mos lavdërohet me pasurinë e tij. Por kush lavdërohet, të lavdërohet me këtë: të ketë gjykim dhe të më njohë mua…”14

Ne kemi mundësinë që të njohim Perëndinë që ka shkaktuar fillimin e universit.

A doni që të filloni një marrëdhënie personale me Perëndinë? Ja se si mund ta bëni këtë gjë: A keni dëgjuar për Katër Ligjet Shpirtërore ?

Disa pjesë të këtij artikulli të shkurtër shkencor ku përshkruhet se si është formuar universi, janë përshtatur nga libri me autor Dinesh D’Souza, “Çfarë Ka Kaq Madhështore Krishtërimi” (What’s So Great about Christianity), nga shtëpia botuese Regnery Publishing, Inc., 2007, Kapitulli 11.

 Si të fillosh një marrëdhënie personale me Perëndinë
 Kam një pyetje...

Refenca: (1) nuk është përdorur (2) Dinesh D’Souza, “Çfarë Ka Kaq Madhështore Krishtërimi” (What’s So Great about Christianity), (Regnery Publishing, Inc,; 2007) faqe 118. (3) Steven Weinberg; “Tre Minutat e Para: Një Këndvështrim Modern për Origjinën e Universit” (The First Three Minutes: A Modern View of the Origin of the Universe); (Basic Books, 1988); faqe 5. (4) Zanafilla 1:1&3 (5) Robert Jastrow; “Mesazh nga Profesori Robert Xhestrou” (“Message from Professor Robert Jastrow””); LeaderU.com; 2002. (6) Robert Jastrow; “Perëndia dhe Astronomët” (God and the Astronomers); (Readers Library, Inc.; 1992) (7) Victor Stenger, “A e Ka Gjetur Shkenca Perëndinë” “Has Science Found God?” (Free Inquiry, Vol. 19. No. 1), 2004. (8) Bertrand Russell dhe Frederick Copleston, “Ekzistenca e Perëndisë” (“The Existence of God”) në librin e John Hick, ed., “Ekzistenca e Perëndisë” (The Existence of God) (New York: Macmillan, 1964), faqe 175. (9) J.Y.T.Greid, ed., “Letrat e Dejvid Hjumit” (The Letters of David Hume)(Oxford: Clarendon Press, 1932), faqe 187. (10) Isaia 40 (11) Psalmet 148:5 (12) Jakobi 4:8 (13) Jeremia 29:14 (14) Jeremia 9:23,24

TREGOJUA MIQVE:
WhatsApp Share Facebook Share Twitter Share Share by Email More